Titulli i fundit mund të shihet vetëm në televizor. Jo bardhezi, siç bënin shaka tifozët e Tiranës me ata të Partizanit, por gjithsesi 10 vjet pa kampionat nuk pranohet lehtë nga bardheblutë. Gjithsesi, ky është realiteti, që u bë edhe më i dhimbshëm kur të kuqtë siguruan titullin e tyre pas çerek shekulli pikërisht në derbin ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”.
Sot, nis sezoni i ri i Superligës, dhe për një klub 24 herë kampion, pavarësisht nga problemet, kërkohet vetëm një gjë, vendi i parë, diçka që e di trajneri Mema dhe futbollistët e përzgjedhur prej tij. Pas një faze të gjatë përgatitore, në Ohës e kryeqytet, ja ku vjen ndeshja e hapjes, ajo ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”, sot në orën 19:00.
Memës i thuhet se gjirokastritët vijnë të papërgatitur nga problemet. “Duam fitoret, tri pikët, nuk merremi me përgatitjet dhe me problemet e të tjerëve”, – shprehet ai me përgjigjen tipike të drejtpërdrejtë, njëlloj siç ishte i drejtpërdrejtë edhe në fushë.
A mund ta deklarojë Mema se Tirana do të luftojë për titull? “Do të duhet të jemi agresivë që në fillim, pasi skuadrat që kanë fituar titullin kanë qenë të tilla, – u shpreh trajneri, – gjithsesi ndeshjet do të merren me radhë, por fillimi ka shumë rëndësi”.
Skuadra është përforcuar, por mbi ç’bazë është bërë afrimi i lojtarëve. “Vendimet i marr unë, – siguron Mema, – për ata që luajnë, dhe për ata që rrinë në stol. Lojtarët nuk i kam zgjedhur vetëm unë, por bashkë me presidentin dhe shefin e klubit, Arbi Laçi. Kemi bërë analizë nga viti i kaluar”.
Tirana është vërtet 24 herë kampion, por titulli i fundit është fituar në vitin 2009, pas një periudhe shumë të suksesshme me trofe të shumtë në vitet 80-të, 90-të dhe në dekadën e parë të viteve 2000.
Sfidanti.al