Në kulmin e debateve, Messi apo Ronaldo dhe temave të nxehta të Botërorit 2026, në Shqipëri gjejmë kohë për të bërë ndryshimet e radhës. Në të nxehtin e fundqershorit, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së e gjetën kohën për të vulosur ndryshimet e padiskutuara, por me siguri të imponuara nga krerët e FSHF-së, për të ndryshuar fytyrën e dy kampionateve më përfaqësuese të futbollit shqiptar, Superiores dhe Kategorisë së Parë.
Nuk ka asgjë të keqe që herë pas here të improvizojmë edhe risi, madje në sheshin e protestave do ta kishin zili zellin e FSHF-së për të sjellë jo një “Shqipëri të re”, por një “Formulë të re”, çdo 2 apo 3 vjet, në mënyrë që edhe në korridoret e futbollit të fryjë ajër i pastër për të injektuar gjak dhe ide të reja në konceptin e organizimit.
Gjithsesi, disa pyetje të mëdha qëndrojnë ende dhe do të vazhdojnë të na godasin si çekan në kokë:
- A ka një objektiv të qartë afatmesëm dhe afatgjatë që justifikon ndryshimet e formulave sa herë futbolli në fushë na dështon?
- A mban dikush përgjegjësi për dështimin e formulave të mëparshme?
- A ka një studim që justifikon ndryshimin e mekanizmave “ligjorë” sa herë na teket?
- A pyeten klubet dhe anëtarët e Komitetit për çfarë u jepet e shkruar dhe më pas e vulosur?
- A kanë të drejtë aktorët të ankohen për ndryshime që, të imponuara në këtë mënyrë, mund t’i çorientojnë?
- Kush na siguron se pas ndryshimeve të radhës, shkallët e stadiumeve do të mbushen dhe njerëzit do të fitojnë besimin te loja?
- Etj., etj…
Pyetje të tilla mund të lindin me dhjetëra pas çdo vendimi që ndryshon jo vetëm fytyrën e futbollit në letër, por imponon edhe orientimin e ri të klubeve që, të pamundura për të bërë plane afatgjata, detyrohen të përshtaten me rregullat e reja të lojës sa herë që u imponohet një gjë e tillë.
Pirro Bardhyli

