Magjia e arkës së FSHF-së : dhunën e shet me miliona.. si mall  bio!

Dhuna në Superligë është malli që shitet publikisht , jo poshte banakut,  në “kioskën e futbollit”. E blejmë lirë dhe e shesim shtrenjtë,  si për ta forcuar edhe më shumë “ligjin” e qëmotshëm të tregut tonë që jeton sipas parimit “bli këlysh dhe shit qen”.  Pse guxojmë të themi e blejmë lirë, kur ende na del para syve koka e gjakosur e trajnerit , Bekim Kuli? E blejmë lirë ngaqë toka jonë është e pasur me akte dhune, (pale kur thonë se është varfëruar toka e Superligës..po na mbaron  dhuna! ) , e shesim shtrenjtë , me miliona ngaqë nuk është mall i sajuar dosido..

Një “mall” që bëjmë sikur nuk e duam ta kemi  në tregun tonë , por kur na shfaqet ama, derdhen para  për ta konvertuar. Ja,  ky tërbimi i fundit masiv, ai që i dha emër dhe histori famkeqe ndeshjes Bylis-Laçi, pati një këmbim monetar  me leverdi për tregtarët e zyrave, nga  5 milion lekë gjobë për secilin ekip, që do të paguajë që të përgjymohet dënimi. Bile thonë se i kanë paguar.. Pyetja që lind pa leje :  u dënuan të gjithë aktorët e dhunës?

Komisioni i Disiplinës në FSHF, ai që sa herë mblidhet për “gjakun e derdhur” e quan  veten “dorë të hekurt”, paska zbuluar me lente (apostafat për akte dhune) se shumica e agresorëve paskan bërë gjasme sikur gjuanin me grushte dhe shkelma, ndaj  ka  ndeshkuar vetëm dy futbollistë, ata që u quajtën ndezësit e fitilit , Naubuezen dhe Carkanjin.

Sa të gënjen ekrani , iluzioni na verkoka  sytë, sa ne e dinim  sikur ishin dhjetëra dhunues të devotshëm nga të dy ekipet,  kurse Komisioni me syrin e “skifterit” ka kapur vetëm  dy viktima ! Një gjueti e paralajmëruar me skenar: në fillim këta dy lojtarë u dënuan nga vetë klubet, me porosi nga lart, pastaj doli ne skenë Komisioni që vendosi  çmimin për llojin e mallit dhunë..

Sfidanti.al