Kur kishin pyetur magjistaren e futbollit tonë se si do të jetë ky viti 2017-të në krahasim me vitin që lamë pas, pëgjigja kishte qënë e ëmbël : ky është ai që prisnim prej kohësh, viti i Solidaritetit, ku llokmat e topit do t’i hanë të gjithë. I paska rënë në shenjë magjistrica, të paktën kështu janë shenjat e fillimit, i cili duket më shumë se premtues. Presidenti i FSHF-së ka ndryshuar aq për së mbari, sa ka nisur një “serial drekash” me gazetarët, fillimisht me ata pranë oborrit, pastaj me ata pak më larg, për të mbërritur tek pakica, një racë në zhdukje, e cila ka nevojë të pastrojë kokën dhe jo stomakun. Sido që ta kenë emrin drekat me “mbretin”, qofshin të solidaritetit, qofshin të pastrimit të lakrave nga koka, duhen përshëndetur pa teklif, sidomos kur kujton se vetëm disa javë më parë, njëshi, kur foli në një emision nate, tek Xhaxhiu, u tregua tepër i ashpër me notat që i vuri gazetarëve. Aq sa dikush tha më tallje se emisioni u bë natën vonë, për një arsye që nuk kapet me të parën. Edhe pse natën lirohen notat, po të kesh parasysh shkollat e natës, prapëseprapë, gazetaret mbetën në klasë.
Ftesa për drekë është një ftesë për ndryshim truri nga të dyja palët. Pas afro 16 vitesh qeverisje të lojës me top, është e pafalshme që palët, gazetarët dhe presidenti, të bashkohen kaq vonë në tavolina, ndërkohë që ekipet e medias do të ndryshokan formacion sipas koificientit të dashurisë me udhëheqësin. Në fillim ata që thonë se “ Duka është futbolli që na ushqen”, deri tek pala tjetër, e vogël në numër, sa mund të quhet racë kokëforte, që mbahen akoma me sloganin armiqësor “ Futbolli është kafshata e presidentit, ju të tjerët mbajeni gojën hapur”. Pas këtyre drekave, edhe pse të ndara në ditë të ndryshme, ka një finale të madhe, e cila do të mbërrijë në mandatin tjetër të shefit. Të gjithë gazetarët do të jenë të ftuar në të njëjtën ditë, në të njëjtën tavolinë, me të njëjtën mendje. Atëhere do të jetë për marshalla, jo si tani, që nuk duartrokasin të gjithë kur presidenti me pompozitet bekoi tavolinën: “ Bashkë do të jemi deri në Botërorin e 2026-tës”. Kur ka dëgjuar këto fjalë floriri, dikush që duhet vrarë me bukë në gojë, paska pyetur: “ Pse kaq shpejt do të largohesh, zoti presidenti!”
Gëzim Sinemati