Novak Gjokoviç është tenist dhe këtë e dimë të gjithë. Veçse, ne dimë edhe këtë tjetrën, që një sportist i mirë mund të merret pa problem me shumë lloje sportesh. Kështu bëri edhe serbi, ish-numri 1 i botës, tani i dyti. “Nole” e la mënjanë për pak çaste profesionin e tij të nderuar të tenistit, dhe u mor me të tjerët. Publiku në Arenën “Margaret Kërt” (Margaret Court) u argëtua me serbin që ia filloi me futboll “puro”, me futboll australian, me kriket, me mundje dhe me basketboll.
Ngjarja (nëse keni harruar shqipen, quajeni edhe “event”) mbante emrin “Një natë me Novakun” dhe u zhvillua pikërisht në Australi, aty ku Gjokoviç do të marrë pjesë në turneun e parë Grand Slem të vitit. Ish-numri 1 do të përpiqet ta fitojë garën e Melburnit për herë të shtatë në karrierë, ndërsa është trofembajtës. Aktiviteti u organizua nga “Fondacioni Novak Gjokoviç” dhe paratë e mbledhura shkuan për bamirësi. Sfidanti.al