Luftë mes “atit dhe birit”, Dukës dhe Shakos, por…mbani frymën miq!

Vetëm “ati dhe biri”, pra presidenti Duka dhe kandidati Shakohoxha , janë të vetmit që do të rivalizojnë për fronin, apo është edhe një i tretë, apo i katërt, që po fshihet nga politika si asi nën mëngë? Dhe sipas zakonit, një herë në 4 vite, kur vjen kjo dreq Asambleje, na nxjerr në sipërfaqe gjithë të palarat zyrtare dhe fantazia trazohet me të vërtetat e krijojnë një amalgamë emrash. Pyetjet dhe bastet shkojnë paralel: do të mbetet në fron “ati”, presidenti Duka? Politika do të sjellë të “birin”, Shakon, që edhe tani që nuk është në koment, na duket sikur thërret : “Drithërrima, mbani frymën miq!”

Është tamam momenti për të mbajtur frymën, sepse kjo lojë plot intriga dhe spiunazhe që po bëhet mes Bashkisë së Tiranës, ku qeveria luan si sulmues i fshehur, dhe FSHF-së, ku topin e zotëron vetëm njëri dhe nuk e pason tek të tjerët, pra presidenti Duka. ..mund të pasurohet me emra kandidatësh që për momentin janë “të padisponueshëm”. Po cilët janë këta emra që do të cënojnë “duelin e shenjtë” midis atit dhe birit, Dukës dhe Shakohoxhës?

Si për ironi, emrat e kandidatëve vijnë më shumë nga jashtë se sa nga brënda, siç duket ngaqë brënda burrat e futbollit e kanë gëlltitur çorbën që e vjellë për tërë jetën! Po cilët janë këta trima, që me bekimin e politikës, do të rrëzojnë pas 20 viteve.. “mbretin” famëkeq? Si kambanë mëngjesi, dëgjon emrin e “ambasadorit” të futbollit, Lorik Canës, më pas , del në skenë edhe emri i Igli Tares, drejtorit në Romë, dhe më tej “treni i fjalëve” arrin edhe në Madrid tek ish-sekretari i FSHF-së, Eduard Dervishi. Ka edhe emra të tjerë,sepse imagjinata s’ka frena kur vjen Asambleja ,( ku për dy dekada dora ka qene në allçi) , sa mund të formohet një ekip i plotë me 11 kandidatë. Do të jetë më bukur këtë herë, edhe nëse na gënjejnë dhe “ndeshja e votës” të jetë e trukuar jo nga njëra palë, por edhe nga tjetra…

Sfidanti.al