Kombëtarja, krijuar si reklamë në vendin ku na ngatërruan himnin

Ne paskemi një aftësi të jashtëzakonshme për të gënjyer veten, për të gjetur alibi, për të qetësuar shpirtin sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe kështu që gjithmonë jemi të gatshëm të japim assist për ata që drejtojnë. Pas ndeshjes së Parisit, në përgjithësi na bëri përshtypje ngatërrimi i himnit dhe qëndresa e futbollitëve tanë, të cilët nuk lejuan të fillonte takimi. Më pas u morrëm me faljet e ndjera të kërkuara që nga presidenti Makron dhe deri tek presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, ndërkohë që erdhi ndeshja e rradhës ndaj Islandës, ku shpërthimet patriotike pas himnit të ngatërruar janë lanë vendin një entuziazmi të zakonshëm dhe njëlloj të paarsyeshëm. Dhe pakkujt I bën përshtypje që ky regres i frikshëm i përfaqësueses tonë ka arsye, sepse është në të njëjtën kohë rënim i futbollit në përgjithësi.

Prej kohësh, Kombëtarja jonë është trajtuar si të ishte një spot publicitar, për të reklamuar një punë që nuk është bërë kurrë dhe kuptohet që trajtimi si oaz shpëtimi, kryesisht në raste fushatash zgjedhore, nuk mund të zgjaste pafundësisht. Si mund të jetë e mundur, që në një vend me një kampionat kombëtar alogjik, të përbërë nga skuadra të dënuara përjetësisht nga UEFA, apo të zhytura në borxhe, të ekzistojë një skuadër përfaqësuese dinjitoze dhe jetëgjatë? Tregu i futbollit tonë nuk është më interesant jashtë kufinjve, përveçse nga skuadra të niveleve shumë modeste, ndërkohë që aty ku shkëlqyen menaxherët me ndonjë transferim të bujshëm, zgjënjyen klientët e tyre, të rritur në këtë shkollë ngelësash.

Kështu që përzgjedhësit tanë e kanë shumë të vështirë të gjejnë lojtarë të larguar për t’u përmirësuar diku tjetër, me qëllim rifreskimin e kësaj Kombëtare, e cila tani tani nuk bën dot më as katër pasime në rradhë. Ndërkohë që strategjia e drejtuesve tanë të futbollit është pakt të thuash mediokre. Deri tani u bazuan kryesisht tek futbollistët kosovarë, duke e trajtuar këtë si treg të gatshëm, që nuk kishte nevojë për investimin e tyre, por që thjeshtë shfrytëzuan me arrogancë një ngërç historik. Ndërsa tani kemi në dispozicion mbetjet e një Kombëtareje, për të cilën dikur shqyen thesin e parave dhe e futën nga dritarja në futbollin e madh europian dhe fatkeqësisht, nga skuadër futbolli e shndërruan në kartolinë, të cilën prej tre vitesh e mbajnë me kujdes në xhepin e brendshëm të xhaketës. Dhe tani jemi katandisur kështu, që as 72 vjeçari Reja nuk po e kupton se çfarë pune kanë bërë më parë, këta çunat që i vijnë vërdallë në “Tropikal”.