Futbolli shqiptar, këtë sezon po vendos rekord pas rekordi. Superioreja, në përpjestim të zhdrejtë me Kombëtaren, duket se ka marrë një rrugë pa kthim në kah të kundërt, ndoshta drejt humnerës. Laçi vendos fillimisht një rekord absolut duke zëvendësuar trajnerin pas javës së parë ndërsa e rifreskoi rekordin me një tjetër zëvendësim duke ndryshuar brenda një faze tre emra në stol por trendi i “kokave të prera” kishte marrë rrugë tashmë dhe me radhë, Kukësi, Teuta, Tirana, Partizani, Dinamo dhe Vllaznia, sot në javën e dhjetë, kanë modifikuar shënjestrën në drejtim të skuadrave. I fundit në radhë është Migen Memelli, bonuset e të cilit në Shkodër u konsumuan dhe sot në Superiore e mbajnë flamurin të ngritur vetëm Gvozdenovic, Tetova dhe Deliallisi. Vetëm në javën e fundit, duke llogaritur edhe Mërgjyshin, tre emra kanë lënë pankinat e tyre, tregues u mungesës së qartësisë dhe vizionit të klubeve. Në të parën dërrasë të kalbur që skuadra apo klubi shkel, viktima e parë që bie poshtë në lumë është trajneri. A thua se ai është “Harry Potter”, magjistari i famshëm që mund të kthejë gjithçka në ar.
Sindromë e vjetër e presidentëve arrogantë dhe prepotentë, të cilët nuk kanë ndryshuar sjellje në vite duke i konsideruar skuadrat dhe ngjyrat e fanellave si çifligje personale, pa pyetur as tifozë dhe as lojtarë. Shpesh herë ata vlerësimet i bëjnë në bazë të humorit të senatorëve në skuadrat e tyre e kjo ndoshta është arsyeja pse emra me karakter të fortë dhe karizëm rezistojnë shumë pak në stolat e skuadrave shqiptare. “Bajraktarët” e klubeve të Superiores do të vazhdojnë të presin koka për sa kohë që do të vazhdojnë ta konsiderojnë një klub pronën e tyre dhe jo të komunitetit duke u besuar në shumicën e rasteve njerëzve që futbollin e konsiderojnë mjet përfitimi dhe jo argëtimi.
Nga Pirro Bardhyli