Kampionati Botëror i mundjes për moshën deri në 23 vjeç ka ulur siparin të dielën në mbrëmje. Një organizim i shpejtë dhe i vështirë, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka gjetur rastin dhe i ka falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur këtë kampionat në Tiranë.
“Është një aktivitet që nuk është se ishte i parashikuar në kalendarin për faktin se ishte një kampionat që duhej të zhvillohej në Finlandë dhe Federata Botërore e Mundjes ia besoi Shqipërisë. Dhe mendoj se deri tani kemi bërë një punë perfekte”, thotë presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni
Një vit më pas përsëri i njëjti Botëror në Tiranë, ndërsa i pari i mundjes shqiptare është i bindur që do të jetë një kampionat edhe më i mirë.
“Si organizim, si pritje dhe çfarë është më e rëndësishmja si përshtypje e mysafirëve tanë mendoj se ne kemi bërë maksimumin tonë. Kemi lënë përshtypjet më të mira për sa i përket të gjithë shërbimit që i është ofruar ekipeve sportive”, thekson Prizreni.
Që do të thotë se Shqipëria e ka marrë notën dhjetë nga ndërkombëtarët?
“Fakti që ne nuk kemi patur ankesa. Fakti që ne nuk kemi patur probleme, apo incidente kjo mendoj se e vendos vetë notën dhjetë”, shpjegon i pari i mundjes shqiptare.
A është e mundur që një ditë një Botëror të rriturish të jetë në Tiranë?
“Shqipëria sot nuk ka një Pallat Sporti të përmasave të tilla sepse të zhvillosh një Kampionat Botëror për të rritur do të thotë të kesh katër tapetë mundje. Dhe ne nuk kemi një sallë që ti përmbushi këto përmasa”, ka përfunduar Prizreni.
sfidanti.al