Futbolli i të gjithëve, Kombëtarja e të Amputuarve nis rrugëtimin zyrtar

Kombëtarja shqiptare e të amputuarve ka debutuar në turneun ndërkombëtar të Ligës së Kombeve, që po organizohet nga Federata Europiane e Futbollit për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA-n në Skoci. Kombëtarja shqiptare garon në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për Amputuar së bashku me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë, ndërkohë që janë zhvilluar edhe ndeshjet e para në Dalgety Bay, Fife të Skocisë.

Shqipëria luajti ndaj Skocisë dhe Holandës, duke u mundur në të dyja sfidat nga skuadra me shumë përvojë në futbollin e të amputuarve. Sakaq, kuqezinjtë do të ndeshen me Kosovën dhe Azerbajxhanin në ditën e dytë të ndeshjeve, që do të përcaktojnë edhe renditjen përfundimtare të grupit tonë. Kompeticioni funksionon njësoj si ai i UEFA-s dhe organizohet për herë të parë për futbollin e të amputuarve, ndërkohë që ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në katër divizione sipas renditjes së tyre. Çdo divizion përbëhet nga 4 ose 5 ekipe, të cilat do të luajnë ndeshje me sistem grumbullimi pikësh.

Skuadra e fundit në grup do të zbresë një divizion më poshtë, ndërsa skuadra që renditet e para do të ngjitet një divizion më lartë, teksa turneu i Ligës së Kombeve është një shans për t’u kualifikuar për në finalet e Euro 2024 për të amputuarit. Një pjesëmarrje historike e Shqipërisë në këtë turne, ku përfaqësohet për herë të parë me Kombëtaren e të amputuarve që është krijuar pak vite me parë. Skuadra përgatitet prej kohësh për këtë turne, teksa ka zhvilluar edhe ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe.

sfidanti.al