Kjo Tirana rebele, ku shkon kaq larg pa lejen e “prindërve” ?

Disa javë më parë, u bë një pyetje me spec nga ato që Ed Manushi ka qejf t’i bëjë në “Procesin Sportiv”, të cilat dhe i shoqëron me një muzikë pompoze: “ A është kjo Tirana më e bukur e këtyre 10 viteve të fundit?”. Në mos qoftë më e bukura, Tirana e këtij sezoni është më e forta, një skuadër prepotente, pale kur zemërohet për padrejtësi, siç i ndodhi me humbjen në Krujë një javë më parë, rebelon dhe i vërsulet kundërshtarit për ta hedhur “nokaut”. Dhe dufin e shfryu ndaj ekipit më të imponues të kampionatit, Laçit, një duf me 4 gola, për 45 minuta, që mund të ishin dhe më shumë, nëse në pjesën e dytë, nuk do t’i kishin dhënë “qetësues” bardhebluve .. për të ndalur fushatën e golave..

Tirana i ka mundur të gjithë në këtë sezon, kundërshtarët e fushës as nuk kanë gojë të flasin, por edhe ata, më të fortët për ligësi e paudhësi , që zakonisht tërheqin fijet në prapaskenë,edhe ata nuk po e ndalin dot. E bënë provë një javë më parë, kur e shtrënguan të humbiste në Krujë, në një ndeshje paniku , ku “djalli” kishte bërë pakt me të fortin dhe jo me të mirin. Por, kjo që ndodhi në “Air Albania, ku shikoje edhe Laçin të ngatërrohej edhe me këmbët e veta, ishte si një akt rebelimi. Tirana e goditi edhe njëherë rregjinë që “zotat” të mbanin gjallë intrigën , edher pse me sfoco, se kemi një binom rivaliteti në tabelën e pikëve…

Tirana është gjëja më e mirë që po i ndodh këtij sezoni të “fundit për dikaturën” , kur mendon se prej vitesh asnjë ekip tjetër nuk do të guxonte të largohej nga “oborri i shtëpisë” pa lejen e “prindërve”. Kjo Tiranë ,edhe brënda vetes ka ndryshuar, sidomos në planin moral, ajo ka mundur edhe atë Tiranën që doli kampione , dy vite më parë, kur bardheblutë ende pa fituar titullin thonin se do ta fitonin kampionatin, kurse këtë here, që e kanë fituar dhe puishtuar me zotësi totale..nuk e thonë se do të dalin kampion!

Sfidanti.al