Kjo përralla e Kombëtares s’mbaron kurrë: e kishim mëndjen tek Franca!

Ky paska qënë skenari:  ia shitëm shtrenjtë tifozëve biletën për ndeshjen me Francën, ndërsa me Andorrën  e shitëm lirë futbollin e 90 minutave! Ca thonë se ajo që ndodhi në Elbasan është si një lloj hakmarrjeje për braktisjen e Kombëtares, vetëm  3 ditë para ndeshjes me  Francën. Të tjerë, që i njohin me rrënjë  huqet dhe  veset e Kombëtares,  predikojnë  se Kombëtarja jonë  e komandon vetë fatin e saj, ia do qejfi bëhet e vogël me Andorrën, dhe prapritur, do të na bëjë krenar me Francën.  Le të shpresojmë tek kjo “magji” 3 ditore, pa të cilën nuk do të kuptonim edhe më qartë se, Kombëtarja jonë,  hallin më të madh e ka me moralin, prandaj… problemet teknike mund t’i shijojmë si karamele.

Përse disa nga lojtarët tanë, fill pas ndeshjes, thonin se kjo që ngjau me Andorrën duhet harruar sa më shpejt.  Një frazë që tingëllon e dyshimtë, sa herë që ata kurdisin ndonjë bëmë famëkeqe. Dhe këtë here, përralla,  kishte fillim të intrigues , nisi me gol qysh në fillim, si për të thënë se nxemjen për ndeshjen e madhe  me Francën, po e bënim me Andorrën, me të cilin kemi edhe një hesap të vjetër. Ngaqë, shumë vite më parë, na mundën në tokën e tyre, një tokë që vetëm për futboll nuk ishte, për meritë të tradhëtisë se futbollistëve tanë. Një tradhëti historike që koncidoi me  fillimin e karrierës së presidentit Duka.

Por, le të mos zhytemi në të kaluarën, sepse edhe e tanishmja ngjason me të kaluarën. Ç‘ishte ky barazim pa jetë me Andorrën ?  Më shumë ishte për meritë të tyre, apo për meritën tonë, që…gjoja hutohemi në fushë, sa herë që na dalin këto ekipet që janë edhe më të vogla se ne.  Më e bukura, mirë në ndeshje që futbollistët tanë  nuk lidheshin dot me njëri-tjetrin, por ç‘ishte  ajo  “tallava” pas ndeshjes, para mikrofonit. Ndërsa njëri  tregonte para ekranit se ishim si të përgjumur, dilte një tjetër që besonte se fajin e kishin andorrianët, që po na bënin të luanim keq. Kurse trajneri Reja i vuri kapakun “kazanit të ndeshjes” kur tha :  u treguam mendjelehtë!

Nuk doli asnjë trim që të thoshte se këto gafat në mbrojtje, sidomos tek dy golat që mirëpritëm me bujari shqiptare, na ndodhin sa herë që …nuk e kemi mëndjen për të fituar. Si atë ditë me Turqinë, kur futbollistët e Kombëtares “kërkuan leje” në fushë  për të tradhëtuar trajnerin Panuçi,  sepse do të ndërtonim një të ardhme më të besueshme me një babaxhan si Edi Reja…

G.Sinemati

Botuar ne gazeten Panorama Sport