Kjo ishte java më e çuditshme për një kampionat, pikërisht për faktin se dizenjatorët e FSHF-së kanë “vizatuar” një karikaturë futbollistike. Java e 12-të ishte programuar të luhej në mesjave dhe filloi të martën e përfundoi të enjten, ndërkohë që për javën pasardhëse kalendari ndryshoi më shumë se një herë. Tashmë do të luhen dy ndeshje të djelën, për të vazhduar të hënën dhe përfunduar të martën. Dhe për ta bërë më të shymëngjyrshëm këtë aktivitet të sajuar janë oraret e takimeve, të cilat fillojnë pak pas mesditës dhe përfundojnë në prag të orës policore. Pra, për të kuptuar se sa vlen ky futboll që luhet në Shqipëri, mjafton të jesh i vëmendshëm në fiksimin e datave të ndeshjeve dhe ndjen instiktivisht një mungesë serioziteti deri në kufirin e fyerjes. Ndërkohë që Liga inekzistente e futbollit thirret në apel dhe paraqitet si një nxënës i përulur, sa herë që presidenti i Federatës kërkon ndryshime në Ligjin për Sportin, ndërsa Komisioni i Disiplinës mblidhet çdo javë për të ndëshkuar Partizanin dhe Teutën, dy klube që nuk pranojnë të stampojnë në uniformat e tyre logon e sponsorit të Superiores.
Në të kundërtën, askush nuk interesohet, se me mungesën e fushave është dëmtuar drejtpërdrejtë futbolli dhe u është mohur tifozëve të mbetur mundësia për t’i ndjekur skuadrat e tyre nga shkallët e stadiumeve. Ndërsa kategoritë më të ulëta janë kthyer në objekt talljeje, siç ishte shfaqja e turpshme në ndeshjen Këlcyra – Përmeti, kur arbitri nuk e ndërpreu takimin, megjithëse u luajt në një liqen artificial. Meqë ra fjala edhe kategoria e parë dhe e dytë do të luajnë të martën, me shpresë që shirat të pushojnë dhe ambjentet të thahen. Sidoqoftë, situata është provizore, derisa të ndërtohen 100 fushat dhe 100 stadiumet, nga aeroporti i Kukësit, deri tek ai i Sarandës.