Italia përgjon  Shqipërinë që s’ndalet: Qënkan trima para ndeshjes!

Të paktë janë ata që besojnë se në ndeshjen me Italinë këshillat e tyre do të zbulonin formulën magjike që Shqipëria t’i mundte. Le ta dëgjojmë Bogdanin, një njohje e vjetër për italianët. “Që t’i bësh të gabojnë, duhet të spostosh dy qendrat e Italisë nga zona e tyre. Duke e bërë këtë, edhe Bonuçi, edhe Barzalji, në momentin që spostohen në anësore, nuk është se e kanë pikën e tyre më të fortë, ndonëse janë dy qendërmbrojtës ndër më të mirët”, tregon ndër të tjera Bogdani si recetë për t’ia dalë mbanë që të thyhet mbrojtja e bardhezinjve. “Bogu” ka të drejtën e Zotit që të mendojë se edhe gardianët italianë kanë pikën e tyre të dobët, atë që i tradhëton gjatë 90 minutave, por kjo këshillë nuk vlen kur ekipi kundërshtar, sulmin nuk e ka mënyrë jetese. Mbrojtësit italianë, sidomos dyshja Bonuçi dhe Barzali, shndërrohen prej mishi dhe gabojnë kur përballen me sulmues të shpejtë dhe të talentuar, që bëjnë një presion të larmishëm  në bunkerin e tyre. Krejt ndryshe nga loja jonë, ku patologjia na mban peng tek porta për të mos pësuar shumë..

Para ndeshjeve gjithnjë jemi më të bukur se gjatë ndeshjes dhe këtë e kanë vërtetuar ato që kanë ndodhur me Spanjën dhe Izraelin. Në letër premtuam se Spanjën do ta sulmonim, kurse në fushë, më fatin e mjerë, nuk arritëm as të kalonim mesin e fushës. Më e lehtë detyra me Izraelin,  në dukje, ndërsa ajo që ndodhi ishte “terrorizmi i vërtetë”.  Një Zot e di  pse aq  bujarisht dhamë një asist të madh për 90 minuta që Izraeli ta kalonte si piknik dhe jo si ndeshje “armike”.  Po me Italinë, ç’ne që vazhdojmë të flasim? Si do t’i çajmë, si do të spostojmë “rojet zvicerane” të portës së Bufonit, Bonuçin dhe Barzalin, kur e dimë fort mirë se çfarë na ndodh, sidomos kur jemi lodhur duke folur. Në kësi rastesh, takime speciale me të mëdhenjtë, kur fjalët që lëshojmë  nuk vlejnë më shumë se heshtja, atëherë, më mirë ta qepësh.. Se italianët na paskën përgjuar dhe kanë thënë “me pak sheqer” se shqiptarët janë më shumë se sa  u duhet trima dhe për këtë falenderojnë edhe trajnerin e tyre.

Sfidanti.al