Dhe fajin e kanë sërish paratë, Seria A rrezikon shkatërrimin!

Gjashtë klubet më të mëdhenj papritur u çuan nga tavolina dhe u larguan. Asambleja e Ligës Italiane të Futbollit nuk mundi t’i vazhdonte punimet normalisht në Milano, pasi ata që ikën ishin Juventusi, Milani, Interi, Roma, Napoli dhe Fiorentina. Përse ky rrëmbim? Për një arsye shumë të thjeshtë, që siç thotë një këngë ruse “në botë është zgjidhur prej kohësh”. Flitet për paratë, për të drejtat televizive, dhe duket se klubet më të vegjël u përpoqën që të bëhej një ndarje më e barabartë, duke përdorur shumicën e votave që kanë në dispozicion.

“Nuk është e mundur të vazhdohet kështu, – u shpreh Adriano Galiani i Milanit, ne emër të “gjashtëshes”, – ne përfaqësojmë 80 për qind të tifozëve në Itali. Qeverisja që kërkojnë të tjerë është një gjethe fiku për të fshehur të vërtetën, si gjithmonë ndarja e të drejtave televizive. Le ta vazhdojnë Asamblenë klubet e mbetur në tavolinë, por ata nuk i kanë votat e duhura”. “Dardha e ka bishtin prapa”, thotë populli, dhe gjashtë të mëdhenjtë janë kujdesur që statuti të kërkojë 15 vota, ndërsa klubet e mbetur në Asamble arrijnë në 13.

Eh, deri këtu mund të arrijë “demokracia” (e ashtuquajtura) e futbollit italian, ndërsa në Angli dhe në Gjermani, të drejtat televizive ndahen në mënyrë shumë më të drejtë, ku klubet e vegjël fitojnë pothuaj aq sa të mdhenjtë. Imagjinoni se çfarë do të thoshin Galiani me shokë nëse Seria A do të kishte rregullin demokratik të NBA-së amerikane, atë që skuadra e vendit të fundit në verë ka të drejtë të zgjedhë talentin më të madh të mundshëm!

Sfidanti.al