E dinim që presidenti Duka fut hundët tek formacioni i Kombëtares. E dinim që nuk kursen diktatin e tij as tek Kombëtaret e moshave, sidomos kur “zbulon”ndonjë talent, por kjo e fundit që ka ndodhur e plotëson më së miri paranojën e “diktatorit me top”. Vetë Armando Duka, presidenti i FSHF-së, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe fitues “shkencor” i gradës “Honoris Causa” ..nuk mund t’i shpëtonte pa ç‘virgjëruar edhe Kombëtaren e veteranëve të futbollit…
I madhi paska dhënë urdhër që të mos grumbullohet në ekipin e veteranëve, ish-futbollisti i Kombëtares, opinionisti që akuzohet se flet me kokën e vet dhe jo me leje nga lart, Ervin Fakaj. Thonë se trajneri i ekipit të veteranëve, profesor Sul Mema, kur ka marrë urdhërin, ka folur me vete, ndofta edhe ka kujtuar gjithë rininë e tij futbollistike kur Partia urdhëronte se cilët futbollistë do të shkonin jashtë shtetit dhe cilët futbollistë do të luanin brenda kufirit.
Sidoqoftë, edhe pse me zemër të thyer, Mema ka larguar Fakajn nga lista e futbollistëve veteranë që të mos rrezikoj veten nga e ardhmja ne stolin e futbollit të “pleqve”. Dhe ata që quhen “legjenda” , e kanë gjuhën e prerë, nuk flasin dot për shokun e larguar nga “Partia” , se kanë frikë se u presin “pensionin e futbollit”…
Sfidanti.al