Haleluja tek Tirana-Teuta:  humbësi shfaqet më i bukur se fituesi!

As nuk vihet në dyshim se futbolli ynë ka tjetër gravitet dhe Tirana e këtij sezoni po vërteton se “rruga e mëndafshit”, ajo që të çon drej titullit, nuk ngjason me atë që kanë ndjekur brezat kampionë tek bardheblutë. Shpirti i Tiranës gjeti paqen vetëm pasi largoi një dyzinë me trajnerë dhe shpikja e saj me Egbon në stol.. po shfaqet si haleluja e trajnimit. Por, nuk mjafton kjo,  duhen shkelur dhe “ligjësi” të  tjera të futbollit për të shkuar edhe më larg dhe më lart në klasifikim. Dëgjoni presidentin Halili, fill pas fitores më të mundimshme të Tiranës ndaj  Teutës: “ Merkato është e mirë, por edhe shumë e rrëzikshme. Konkurrenca, nganjëherë, nuk bën shumë mirë”. Në botë dhe në Europë mbeten pa gjumë deri në minutën e fundit të merkatos për të bërë goditjen e fundit, kurse në anët tona..mezi presin të mbyllet dera e “kinemasë”, madje edhe vetë futbollistët “shtyjnë” derën se kanë frikë kur ajo mbetet hapur…

Vetëm po të kujtosh të kaluarën, jo shumë të largët, e kupton pse Tirana është në delir moral dhe shpirtëror për ato që po ngjasin në kampionat. Mrekullia ka ndodhur, ekipi nuk ndalet në fushë pa zaptuar fitoren, dhe kjo e fundit me Teutën, ka nevojë të veçohet nga të tjerat. Sikur të kishte një doktor për t’i bërë autopsinë, do të ishte respekt për garën e mbetur të kampionatit. Sepse,  ajo që quhet “mrekullia e shtatë”, pra triumfi ndaj Teutës, në fund të fundit, ka zbuluar se Tiranës kur s’i mjaftojnë armët e fitores në fushë,  fati shfaqet si aleati më i mirë për ta . Madje,  horoskopi i Superligës  është që edhe zotat të mos jenë kundër tyre, si gjithë këto vite. Teuta e mbetur me 10 futbollistë ( per meritë te arbitrit), për shkak të  një kartoni të kuq ireal, edhe pas një  goli të dhuruar, ka përmbysur me zell   një ligjësi të hershme, sipas së cilës  thuhej se nuk ka më mister ,ndeshja e  ka gjetur zotin e saj. Këtë herë, shifrat u shpërfillën, kjo për meritë të Teutës, që vërtetoi një teori gati të vdekur në anët tona, atë se loja nuk është vetëm çështje numrash, me 11 apo 10 futbollistë, as nuk është e thënë një herë e përgjithmonë se fituesi qënka më i bukur se humbësi…

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport