Ky gishti i mallkuar i Handanoviçit, Interi e humb për Milanin, Lacion, Napolin!

Mirë që të paktën stoli është plot, por njeriu me shiritin në krah nuk do të arrijë të ndihmojë. Pasi nuk ishte në gjendje të dilte në fushë në fushën e Udinezes, kapiteni i Interit, Samir Handanoviç, përjashtohet nga duelet ndaj Milanit (derbi), Lacios dhe Napolit, shkurt nga 3 prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit. Me zikaltërit jashtë Championsit, Seria A është objektivi i vetëm që vlen dhe trajneri Antonio Konte nuk ka çfarë zgjidhjeje të gjejë, përveçse të aktivizojë sërish portierin e ri Daniele Padeli, i cili ndaj Udinezes luajti ndeshjen e parë në kampionat në … 4 vjet!

Për dreq, as portieri rezervë Tomazo Berni nuk mund të luajë pasi është i pezulluar. Ai mori karton të kuq për sjelljen e tij në stol në ndeshjen ndaj Kaljarit. Handanoviç theu gishtin e njërës dorë gjatë stërvitjes, dhe pritet të mungojë 3-4 javë. Interi shpreson që ai të jetë gati për derbin ndaj Juventusit në Torino, në 1 mars. Të paktën për derbin kthehet sulmuesi Lautaro Martinez, që ishte i pezulluar, ndërsa Konte ka mjaft mundësi në stol, pas afrimit të lojtarëve si Eshli Jang, Kristian Eriksen apo Mozes, si dhe pas riaftësimit të Barelës, Sensit dhe Aleksis Sançezit.

Sfidanti.al