“Godina e teatrit”  të Superligës nuk shëmbet, por ..lartësohet!

O Enea, na lër të luajmë futboll! Kjo ishte britma e Jashanicës së Skënderbeut  gjatë ndeshjes me Partizanin. O Hamit, pse nuk i shikon njëlloj penalltitë, sa bukur e pe për Tiranën, po për Bylysin.. ku i kishe sytë? Kjo thirrje nuk u dëgjua në stadiumin e Ballshit, ngaqë  futbollistët e Bylisit ishin bërë shumë të urtë, aq të urtë sa qaheshin gjoja  nga frika e virusit, më shumë sesa  nga “zemërimi  i Zeusit”. Duket se godina e teatrit të Superligës, jo vetëm që nuk do të shëmbet kurrë, por do të lartësohet në këto javët e mbetura. Dhe në skenën  teatrale të futbollit, aktorët kryesorë kanë ndryshuar rolet në mënyrë historike: futbollistët e Skënderbeut , ata të cilët në kohën e artë trajtoheshin si engjëj  nga arbitrat, tani thonë se janë bërë gjahu i tyre “ i verdhë” për nga kartonat!

Kurse Tirana, viktima e preferuar e sistemit tërë këto vite diktati në trafikun e titujve, që njihet si  epruveta bardheblu me  të cilën arbitrat kanë bërë lloj-lloj eksperimentesh,  është i vetmi ekip që nuk qahet më, madje  i bekon  zotat  që më në fund i kthyen sytë edhe nga ata. Fjalët e Ardi Memës, para se të largohej nga stoli i Tiranës, paskan qënë magjike: “ Ata sipër po lodhen vetëm për ekipet e provincave, as u bëhet vonë për ekipet që kanë bërë historinë..”

Fati i ekipeve kampione,  mund të jetë i ndryshëm në mbarë Europën , kurse në trevën tonë të futbollit ka ngjashmëri binjake, sidomos  kur “ ruleti i fatit” të shënjon të  nisesh drejt titullit. Një vit më parë, kur nuk ishim as tek gjysma e rrugëtimit të garës, shumica vinte dorën në zjarr që kampionatin e përlante Partizani. Këtë herë, jo vetëm duart, por edhe këmbët.. “digjen” se  Tirana e fiton me sy mbyllur titullin. Sado armiqësi e madhe predikohet midis Partizanit dhe Tiranës,  sapo  në mes tyre futen çunat e sistemit, ata që fjalën e kanë besa-besë kur flitet për pazarin e titullit, fundi i gjërave lexohet qysh në fillim!

Një vit më parë, të kuqtë  mbyllën gojën me marifet , madje për hir të fitores së madhe edhe  puthën  fotografinë e “diktatorit”, këtë sezon është Tirana që hiqet sikur është gati t’i harrojë gjithë mëkatet e ketyre viteve , meqë  përvëlohet nga dëshira e madhe  që  kur të mbushë 100 vjeç,  të jetë ngjitur në altarin e harruar. Pastaj,  le të thonë çfarë të duan se cili e përgatiti  ..tortën.

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport