Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, ajo në Turqi dhe tjetra në Moldavi, po t’i gjykosh me gjuhën e kinemasë, njëra pati fund dramatik, ndërsa tjetra.. një fillim të lumtur. Në Stamboll, ku askush nuk e mendonte dot fundin e filmit , përveç orakujve, humbja me vetëvrasje në minutat e fundit, shkaktoi keqardhje, por edhe krenari. Në fund të fundit, i dorëzuam ”portën e lartë” Turqisë për t’i marrë trutë, aq sa festimi i tyre për golin i përkiste më shumë botës së luftës, sesa botës së futbollit. Kurse ajo që ndodhi në Kishinjev, ishte një mrekulli e paralajmëruar. Të gjithë i binin kambanës për një fitore me gola, madje besimi i tepruar erdhi edhe nga përtej detit, kur ish-trajneri De Biazi paketoi fitoren me fjongon kuqezi. . Vetëm një enigëm na la pa zbuluar: kur do të bëheshin golat dhe cilët do të ishin heronjtë? Por, ajo që ndodhi.. ishte edhe më e ëmbël se vetë torta e trajnerit me rastin e ditlindjes së 74-t. Moldavët na bënë dhuratë himnin më të bukur dhe më të gjallë që kemi përjetuar ndonjëherë, por befasia më e madhe ishte kur edhe në fushë u treguan bamirës, sa kuqezinjtë u dehën me gola qysh në pjesën e parë.
Ishte një natë harbimi..moldave! Thyem rekordin e kohës së shënimit të tre golavejashtë fushe , si për të harruar fatin e zi me turqit, ku, sapo i dhamë jetë shprehjes së vjetër “ hip këtu dhe shiko Stambollin ”. Pale në pjesën e dytë , gati nuk u besonim syve, kur tanët mbanin topin në mesfushë, duke treguar se kemi edhe ne shpirt për të mëshiruar kundërshtarin e vogël. Duke qënë se besojmë shumë në futbollin e folur, në atë lojë padurimi që na bëhet si një kurth , tek i cili na pëlqen të vetfutemi, në këto momente euforie, po “luajmë” edhe ndeshjet e ardhshme me Andorrën dhe me Francën. Ata që njohin zakonet dhe veset e Kombëtares na shpojnë se lepuri i frikës mund të fshihet pas Andorrës dhe jo pas kampionëve të botës, gjelave të Francës , që sipas arsyes shqiptare dhe jo franceze, nuk do të vinë për të kënduar në Tiranë, ngaqë janë të ngopur me pikë dhe me lavdi. Madje, nuk është turp ta themi, ata na paskan dhe një borxh moral : na bënë lëmsh himnin në Francë, ndaj nuk do të na prishin festën e inagurimit të stadiumit më unikal, ku ndryshe nga Parisi, “kulla Ejfel” është brënda..lojës!
G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport