FSHF e fortë me të voglin, në 2011 dhuna ndaj Jeminit nuk përjashtoi Laçin!

Tashmë pritet të ketë ndëshim shembullor. Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar dënim të ashpër të dhunës ndaj arbitrit në ndeshjen Kamza-Laçi në Superligë. Pas një mbledhjeje urgjente pas takimit, institucioni drejtues i futbollit në Shqipëri i ka bërë thirrje komisioneve përkatëse që të jenë ekstremisht të ashpër për atë që ndodhi.

Po ashtu, Federata ka akuzuar Policinë e Shtetit se nuk po bën detyrën, pasi ajo është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë në mjediset sportive. Federata i bën edhe një herë thirrje policisë që të rishikojë qendrimin e saj dhe të rikthehet në stadiume, duke e quajtur vendimin e mëparshëm si të nxituar.

Reagimi nga institucioni i drejtuar nga presidenti Duka të lë të nënkuptosh se Komisioni i Disiplinës do të mbajë qendrim tepër të ashpër, në mbledhjen e parashikuar ditën e martë. Rreziku për Kamzën është i madh, pasi në nenin 65, pika 2, parashikohet deri edhe përjashtimi nga aktiviteti për klubin organizator të ndeshjes.

Kujtojmë se një rast dhune, po aq i rëndë, ndodhi në dhjetor 2011, kur gjyqtari Lorenc Jemini u dhunua në Laç, madje edhe nga drejtues, por Disiplina nuk e përjashtoi klubin kurbinas, duke i hequr 6 pikë në renditje, duke i dënuar stadiumin deri në fund të sezonit, dhe duke përjashtuar 2 vjet presidentin Laska.

Këtë sezon, Disiplina nuk ka dhënë dënimet e parashikuara nga Kodi i Disiplinës, në rastet e dhunës. Tifozët sollën probleme që në ndeshjen e parë, Skënderbeu-Partizani në Korçë. Në gjysmën e dytë të sezonit, tifozë të Kukësit goditën arbitrin me send të fortë në ndeshjen ndaj Laçit.

Pastaj, u tentua të goditej gjyqtari anësor nga tifozë të Tiranës, në takimin ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”. Edhe më serioze shkelja në sfidën Partizani-Flamurtari, ku tifozë vendas kaluan rrethimin e brendshëm të stadiumit dhe sulmuan një zyrtar të Flamurtarit, konkretisht fotografin e ekipit. Për të gjitha këto raste, rregullorja parashikonte dënime të rënda, por Komisioni i Disiplinës ka vendosur vetëm gjoba, me përjashtim të rastit të parë në ndeshjen Skënderbeu-Partizanit.

Sfidanti.al