Euro 2027 për U-21 është lajmi që do të na mbajë mbërthyer edhe për dy vitet e ardhshme. Arritjet e FSHF-së, stadiumet, investimet, lobimi e shumë e shumë tema të tjera në lidhje me shkëlqimin e diplomacisë së federatës do të na verbojnë deri në ditën e finales së europianit që Shqipërisë gjithçka mund t’i sjellë veçse suksesit. Pasi përjashtoi nga stadiumi i Kombëtarës “Plisat” dhe Tifozat Kuq e Zi, Armand Duka me kokëfortësi i shkoi deri në fund projektit për të sjellë në Shqipëri dhe Serbi një europian që sipas tij ka vlera të mëdha sportive për brezat e ardhshëm në një kohë që futbolli në vend po vdes. Pasi ka ekzekutuar magjinë e produktit vendas në të gjitha kategoritë duke vrarë garën, FSHF përpiqet të ndjekë shembullin e suksesit ndërkombëtar për t’i dhënë një dimension tjetër parodisë. Zyrtarizimi i Euro U-21 në Shqipëri dhe Serbi u bë si për ironi në tryezën italiane të Gravinës, lideri i futbollit në vendin fqinjë që fitoi mendatin e tretë në një garë pa garë duke marrë shembull edhe nga FSHF. Organizimi i Euro U-21 bashkë me Serbinë nuk është thjesht një çështje me fokus patriotik dhe dy kampe pro e kundër, ky vendim ka vetëm një kamp që është ai i shqiptarëve të cilët nuk e dëshirojnë një bashkëpunim të tillë për të respektuar ndër të tjera edhe ato viktima të mbytur në lumenjtë e gjakut. Në krahun tjetër qëndrojnë ata 3 apo 4 vetë që shesin për sukses këtë bashkëpunim duke ua servirur njerëzve si arritje për futbollin shqiptar dhe të ardhmen e fëmijëve, por e vërteta është një dhe e thjeshtë: Organizimi i Euro 2027 me Serbinë ku çdo ditë nëpër stadiume shqiptarët thirren “majmunë” dhe “të vdekur” e “Kosova është pjesë e Beogradit”, mbetet një akt mizor dhe sfidë ndaj shqiptarëve të vërtetë.
Nga Pirro Bardhyli