Elbasani e korrigjon  këngën: “ Ekipi plaket kur do vetë…”

Është modë e vjetër në futbollin tonë që ekipet që vijnë nga poshtë, flasin sikur vijnë nga lart. Më parë Dinamo e Shkëmbit , sapo u ngjit lart në Superiore,  në një moment deliri profetik, trajnerit Shkëmbi ia plasi se kishin hesape vetëm me  titullin kampion. Fjala e tij në vesh të “djallit” dhe Dinamo vajti si vajti..ra  prapë poshtë.

Edhe Elbasani , ekipi që fliste më shumë me vepra në fushë dhe jo  me fjalë në mikrofon, ekipi që mban gjallë frymën e shenjtë të tifozerisë në këtë “dimër të vetmisë së madhe” , e ka pësuar sapo loja u ndez në studio e TV-së.

..Një ditë para ndeshjes me Dinamon, presidenti  i Elbasanit, kishte thënë se basti i madh i tyre nuk ishte të shkonin në Europë, as të qendronin në Superiore, por të zaptonin titullin kampion! Dhe kaluan vetëm 24 orë, dhe portës së Elbasanit ç‘i panë sytë ! Pësuan 5 gola nga Dinamo, tamam një “shuplakë kampione”. Dhe ku ndodhi? Tamam në Elbasan, ku  këndohet shpesh kënga himn se “njeriu plaket kur do vetë “.  Këtë herë teksti ishte ndryshe : “ ekipi plaket .. kur do vetë ”.

Sfidanti.al