Me ekip apo pa ekip, bionde apo brune? Futbolli futet në “krevatin” e Panuçit

Italiani Panuçi, sa ka vënë këmbën në Shqipëri, ka premtuar se do të jetë tipi i kundërt i De Biazit në stilin e lojës si fillim, duke i vënë flakën “autobuzit” para portës, pastaj, edhe në jetë private, do të mësokemi një italishte tjetër. Disi më të çiltër se ajo e Xhanit, e cila  po rekomandohet nga psikologet e zyrave që ta harrojmë sa më shpejt. Në daljen e fundit para gazetarëve, kur u lodh duke justifikuar ftesën pa arsye të futbollistit Aliji, edhe pse pa ekip,  përgjigja e trajnerit tonë  ka qënë më shumë se kristiane: “  Mua më pëlqen Aliji.  Nuk më pëlqen një brune, por një bionde..” Kapërcimi i tij spektakolar në këtë përgjigje është krahasuar me një rofeshatë pa lidhje me lojën, ku topi pasi godet shtyllën, zbukurohet më shumë për të prekur rrjetën.  Edhe pse ishte betuar në ditët e para,kur po vinim “unazën” kuqezi se, do të flirtonte vetëm me futbollistët që rrezatonin nëpër ekipet e tyre,  shfaqet patetik, pak i besueshëm, kur tema ngec tek Aliji . Në lojën e metaforave, futbollisti me ekip dhe ai pa ekip, krahasohen me brunet dhe biondet nga misionari ynë i stolit, për të cilin dinim shumë pak, kur thonim se ka qënë nxënësi më i urtë në “klasën” e profesor Kapelos.

Të gjithë trajnerët e huaj na kanë hutuar me fjalë dhe me vepra, pasi misionin e tyre e kanë kamufluar me shqiptarizëm, madje duke na kopjuar deri tek grupi i gjakut. Ky italiani i fundit, shkon përtej orbitës etike, kur për rastin “brune apo bionde” bën një thirrje pa kufi: “ Më duket shumë e çuditshme, tek të gjithë menaxherët e futbollit në botë, që Aliji është pa ekip. Unë e konsideroj të rëndësishëm. Edhe nëse mbetet pa ekip pas janarit, do ta grumbulloj sërish në mars”.   Ky marsi duhet puthur në buzë, pasi do të jetë muaj “mjalti” për Kombëtaren, pasi trajneri zbuloi me krenari se do të ketë edhe 3 apo 4 futbollistë të tjerë. As 3, as 4, por 3 ose 4. Kjo nuk duket si gjuhë futbolli, madje më shumë i ngjason tregut me shumicë, pale kur mendon se si ka mundësi te fiksohen zbulime talentesh,  kur nuk dihet se çfarë do të ndodhë për 3 muaj, ku edhe vitet do të ndryshojnë…

Sfidanti.al

Botuar ne gazeten Panorama Sport