Dikush thotë se Edi Reja është shumë i madh në moshë, një tjetër thotë se për futbollin që luajmë jemi bashkëmoshatarë me trajnerin 73 vjeçar, të tjerë thonë se me keq se me Panuçin nuk mund të kandisemi. Sido që të jetë, mënyra se si vuri këmbë në tokën tonë mister Reja, do të kujtohet më gjatë ardhja sesa ..ikja e tij. Edi shkoi tek Edi (Rama) për të bërë golin më pas Armandi ! Duket si një kombinacion perfekt që të çon shpejt drejt portës , edhe pse nuk dihet se në cilën portë, në atë që bëhet autogoli apo atje ku bëhet goli! Qoftë i bekuar ky zbarkim spektakolar, sidomos kur kujton faktin se askush nga trajnerët e huaj nuk i kishte rënë kaq shkurt..për të qëndruar sa më gjatë. Në Shqipëri nuk e dinë se cila është e vërteta e kontratës, kurse në Itali dinë detaje tejet intime, madje vetë Reja ka treguar nëpërmjet një interviste se ka marrë edhe mbështetjen e të parit të vendit, më parë se të mbërrinte tek i pari i pronës kuqezi.
Kështu siç ka ndodhur, i takon edhe trajnerit Reja të bekojë sloganin tonë delirant : O sa mirë me qenë shqiptar”! Ku do të gjente Reja një përfaqësuese tjetër, kaq të përpiktë në takim, “e mbarë” për të filluar punën saqë tradhëtoi Panuçin para syve të tij, e humbi ndeshjen me Turqinë duke zbrazur stadiumin, por, si çdo e keqe që ka një të mire.. zbuloi trajnerin ideal! Ideal sepse është i denjë për vazhdimin e përrallës sonë, sidomos kur tha pa u skuqur fare se “kam ardhur për të zbuluar talente dhe jo për t’i marrë vendin Panuçit”. Ne i kemi qejf gënjeshtrat dhe ai e ditka më së miri këtë dobësi. Por, sidoqoftë, duhet përgëzuar edhe për sinqeritetin para gazetarëve, kur lëshoi një frazë që të tundon : “ Nga Igli Tare kam dëgjuar vetëm të mirat, dhe jo të ..këqijat”. Për të këqijat e kujt është fjala, të Kombëtares sonë apo të padronit të saj? Një trajner më i madh se Reja në moshë, më mjeshtër në zanat, profesori Oto Bariç thoshte shpesh se donte të dinte sa më shumë për shqiptarët ,më shumë për të ligat e tyre, pastaj dhe të mirat, me shpresën se do ta ndihmonin për të na gjetur misteret e karakterit. E tradhëtuam si “burrat”, me overdozë golash në Rumani , ashtu siç ia ngrehëm Panuçit në Shkodër, vetëm që të ulej në stol zoti Reja, tamam në stolin ku tradhëtitë shiten si traditë , ngaqë janë bërë mënyrë jetese.
Gëzim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport