Dikur, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, kishte të paktën 13 fusha me përmasa thuajse zyrtare për të luajtur futboll. Diku, quheshin “fusha e zezë”, diku “fusha e kuqe”, luksi tek ato nuk ekzistonte dhe ishin të “vobekta”, por sidoqoftë, aty luanin me qindra e mijëra fëmijë, dhe stërviteshin skuadrat e një qyteti me rreth 250 000 banorë.
Sot, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, po ndërtohet një stadium luksoz, që e ka shkelmuar larg vobektësinë dhe që do të na marrë sytë nga shkëlqimi, kur të përfundojë. “Qemal Stafa” i vjetër, në kujtimet tona, duket një “gërdallë” në krahasim me të.
Veçse, sot, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, janë zhdukur shumica e fushave të dikurshme, që tashmë njihen me emrat “Pallatet e Reja”, “Pallati me Shigjeta”, “Katedralja”, “Tregu i Madh”, “Minifushat dhe parku” apo edhe thjesht “Parkingu”. Në Laprakë, pranë rrethrrotullimit, pritet të prishet edhe kompleksi privat për t’u bërë pallate, dhe nuk është çudi të bëhet parking apo palate, edhe Aneksi i “Selman Stërmasit”.
Sot, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ka shumë më pak fusha futbolli, ndërsa popullsia mund të jetë edhe 800 000 banorë, apo ndoshta edhe 1 milionë.
Nuk duhet të habitemi, kur në Stadiumin e ri Kombëtar, të mos kemi më ekipe për të luajtur futboll, por të zhvillojmë spektakle, ndeshje ndërkombëtare, apo ndeshje në emër të paqes, si ato dikur “politikanët kundër gazetarëve”.
Të mos themi se nuk e dinim. Na mjafton shembulli i Elbasanit dhe Shkodrës, ku u ndërtuan stadiumet më modernë në Shqipëri, sot për sot, dhe ku ose nuk luhet fare futboll nga skuadra vendase, ose luan në Kategorinë e Parë, dhe me shumë pak tifozë që e ndjekin.
Sfidanti.al