Presidenti Duka po bëhet si i shtëpisë edhe në median italiane, duke dhënë intervistën e radhës, ku thuhet se paska hapur zemrën, por nuk dihet se cilën nga zemrat. Ka nga ata që thonë se kur flet në Itali është më i sinqertë se në Shqipëri, madje është në paqe me veten e tij. Ndofta mund të jetë edhe kështu, ngaqë intervistat që organizon në truallin tonë janë si ndeshjet e mbaruara qysh para se të fillojnë, ngaqë pyetjet dhe përgjigjet kopsiten nga dora vetë. Prandaj, duket si një lajm i mirë në në një botë plot finte , kur media dhe presidenti luajnë në pozicionet e veta: njëri pyetjet dhe tjetri përgjigjet….
Edhe pse gazetarët italianë mbahen si “nona” e pyetjeve, presidenti ynë pati luksin të tregojë dashurinë në rritje për trajnerët italianë, pa treguar (mëkatin e shenjtë) frikën e madhe që t’ia besojë ekipin Kombëtar një trajneri shqiptar. Predikohet se ata janë më profesionalë se tanët, por nuk pranohet publikisht se janë edhe më të zot për të qepur gojën, sidomos kur në lojën tonë futet djalli, siç ndodhi me Andorrën. Apo kur hoqëm qafe Panuçin. Tek kjo e fundit ndodhi “mrekullia” : të dyja palët luanin që të fitonte Turqia.
Kjo intervista e fundit e presidentit ka brënda një lajm të mirë dhe një të keq. Po e fillojmë nga lajmi i keq: e paska hidhëruar shumë Panuçi sepse paska harruar kusurin e premiove. I vetmi nga italianët, që kërkon të zhytet thellë tek portofoli i tij. Kurse lajmi “ i mirë” është se vetë presidenti zbulon se do të jetë Hysaj kapiten dhe merret me mend se ç’fat e pret Mavrajn. Përsëritet filmi si me Ansi Agollin. Pyetja që nuk bëri gazetari italian : si ka mundësi që lajmin e kapitenit e jep presidenti më parë se vetë trajneri Reja. Ku ta dinë italianët e medias se bashkatdhetarët e tyre kur janë në stolin e Kombëtares , kanë një përshtatje aq tjetërsuese.. sa nga Italia s’u mbetet gjë tjetër veç pasaporta . Ndaj thuhet me të madhe se De Biazi ishte aktori më i mirë nga italianët, kurse Dosena “aktori më i keq” , për të cilin presidenti tha përciptas, gjatë intervistës, se iku shpejt, aq shpejt dhe aq frikshëm ia mbathi, sa edhe kur ia përmendin emrin duket sikur tundet edhe dosja e tij…
G.Sinemati
Botuar ne Panorama Sport