Në majin e 1996-ës, ndodhi për herë të parë një nga ato mrekulli që nuk priten në futboll, tifozët e një ekipi brohoritën me gjithë zemër për skuadrën kundërshtare brenda qytetit. Dhe kush? Tifozët e Tiranës u bënë me Partizanin, sepse skuadra e Sulejman Starovës mundi Teutën duke bërë që ekipi i Sulejman Memës të fitonte titullin kampion. “Partizon, Partizon, Tirona osht kampion”, ishte thirrja e tifozëve bardheblu, ndërsa trajneri Mema premtoi se nuk do të fliste kurrë keq për Partizanin që nga ajo kohë e më pas.
Jemi në prill 2019, kanë kaluar 23 vjet, dhe skenat duket se po përsëriten, edhe pse me “skenë” më të vogël. Tirana u mund nga Kukësi brenda në “Selman Stërmasi”, por kjo humbje nuk u ndje aq e dhimbshme sa mund të ndihej, pasi pak orë më parë Partizani kishte ndalur Kastriotin në Fushë Krujë, në barazim 1-1. Të paktën, bardheblutë ruajtën 5 pikë diferencë plus, kur duhen edhe 6 javë deri në fund. Trajneri Ardian Mema e falenderoi Partizanin për dhuratën, duke thënë se “Partizani po luan futboll, nuk po e prish kampionatin, dhe e falenderoj për këtë”.
Dy falenderime nga dy Memë për Partizanin, në 23 vjet distancë, por sa shumë ndryshon Tirana. Atëherë luftonte për titull, ndërsa sot për të mos rënë nga kategoria.
Sfidanti.al