Edhe kur Tirana vuan flitet për fatin! Është lojë me top, jo me zare…

Futbolli nuk është kazino, ku çdo gjë lidhet me fatin!  Këto fjalë nuk i ka thënë ish-trajneri i Tiranës, Ardi Mema, por ato kumbojnë sikur kanë dalë edhe nga goja e tij, sidomos pas deklaratës së tij në fund të ndeshjes Tirana – Laçi.  Një ndeshje për të cilën nuk lodhemi për të gjetur shkaqet pse vuajti aq shumë Tirana, sepse kemi gati “parafabrikaten e artë”, atë që e kemi dëgjuar shpesh këto javë : Tiranën e ndihmoi fati! Tani, le të dëgjojmë edhe fjalët e Ardi Memës, trajneri i fundit i shkarkuar që “lavdinë” e mori vetëm pasi e larguan,  të cilat shkojnë posaçërisht për trajnerin Egbo.

“ Jo gjithmonë fiton me fat. Vjen edhe fati i keq. Uroj që fati i keq të vijë sa më vonë”.  Egbo, edhe pse është tipi i trajnerit që i shpjegon ndeshjet  më shumë nga qielli sesa nga toka,  ka shumë arsye për t’i mbajtur në një “kornizë” fjalët e ish-mësuesit të tij.  Fati është i bekuar në futboll, por futbollin nuk mund ta bekosh si një lojë..fati! Tirana ka mundur Laçin dhe ajo që ndodhi , sidomos gafa e portierit laçian, e cila  provokoi edhe golin e triumfit nga sulmuesi Ngo, aq  më shumë sfilitja e Tiranës për të  gjetur stilin imponues në fushë,  nuk mund të lidhen dot vetem me “orbitën e madhe” të fatit.  Ndryshe, do të krijohet një varësi psikologjike me fatin nëpër ndeshje, sa ajo që thotë Ardi Mema mund të shfaqet e vërtetë një ditë, kur duke pritur fatin e mirë, mund të vijë ..fati i keq!

Sfidanti.al