E vërtetë  e pabesueshme: Arbitri Koçi më i miri në fushë në Kukës?

Arbitrimi i Andi Koçit në ndeshjet delikate të rivalëve Kukësi –Partizani,  mund të konsiderohet si një vetëtimë në qiell të pastër . Ç‘nuk kishte ndodhur  gjatë javëve të këtij kampionati të harbuar edhe për meritë të bilbilave, ndaj edhe ndeshja e “Zeqir Ymerit” pritej me zemër në dorë. Flitej në gazeta se për gjuetinë e golit do të dilnin për gjah  sulmuesit Pejiç për vendasit dhe Ekuban për miqtë,  ndërsa frika më e madhe shkonte tek “bomber i padukshëm” .. tek arbitri.  Ajo që ndodhi, mund të pagëzohet si një rikthim në identitet, sidomos kur flitet për moralin e goditur të gjykimit.  Nuk është emër i madh Andi Koçi, madje ngjalli dyshime, edhe pse me stemë,  ngaqë emri i tij peshonte pak në krahasim me presionin e ndeshjes, por  leksioni që erdhi nga fusha ishte domethënës.  Një rast i rrallë dhe i bukur, kur shikon që bilbili krijon një muzikë besimi  në fushë, saqë futbollistët e Kukësit dhe Partizanit,  vetëm tek ai nuk mund të faleshin për të gjetur rrugën false për fitoren e kësaj ndeshjeje.

Të gjithë e kanë mallkuar barazimin “ pa lëng”,  ngaqë  fushata para ndeshjes i kishte gënjyer bukur  se do të kishte plot gola dhe palët, njëherë e mirë, do ta ndanin shapin nga sheqeri.  Jemi mësuar me shumë fjalë dhe me pak vepra,  veç ajo që as nëpër mend nuk shkonte, ishte gjykimi me dorë të ëmbël dhe mëndje të ndarë, ku askush nuk do të merrte dhuratë!  Thonë se edhe shefat kanë një ditë që   zbukurohen dhe nga goja e tyre del mjaltë: “ Le të thyejnë kokën me njëri-tjetrin, mos ta gjejnë nga ne, këtë herë”. E hidhur, por edhe ia vlen.  Jemi mësuar duke thyer kokat e njëri-tjetrit, madje kjo është loja që dimë të bëjmë, por puna është se po vdesim për së gjalli për t’u kthyer si dikur, kur  golat lindnin vetëm nga fusha dhe … u shofshin ato që vijnë nga zyrat.

Sfidanti.al