Pse më fshihesh moj Superligë? Dikur kishim një takim fiks të shtunën dhe të dielën, tamam në orën e bekuar, kurse në ditët e sotme ..i dashuri futboll.. më zbythet, më humbet nga sytë. Ja, për shembull, dy ndeshje të Superligës do të luhen sot, të hënën, që dikur e quanim ditën e berberëve. Dhe tri ndeshje të martën, që ka qënë shpallur me kohë “dita e tersit”. Dhe sikur të luhej vetëm të martave, do të justifikonim tamam tersin që na është qepur me kohë…
E martë do të ketë qënë kur erdhën zaptuesit e topit, e martë ka qënë me siguri kur u dënuam “përjetë” nga Europa, e martë do të ketë qënë dita kur nisi arratia e tifozëve nga stadiumet, prapë e martë do të ketë qënë kur presidentët tanë të futbollit “veshën” uniformën e lojës dhe u treguan futbollistëve të tyre se si luhet..pa top .
E martë do të ketë qënë edhe ajo ditë, kur çunat e sistemit vendosën që s’do të ketë më ekipe të mëdha dhe të vegjël, por do të trazohen ndryshe kartat e lojës dhe te klasifikimit. Pak a shumë,po luhet me stilin grotesk si në ndeshjet teatrale të keçit, ku humbësi me fituesin e bëjnë me radhë brenda ndeshjes, kurse tek ne ..brënda javës!
Sfidanti.al