Nuk ndodhi ajo që përflitej : ringjallja e Skënderbeut vetëm për 90 minuta, sa për të mundur Partizanin, ekipin që krijon më shumë alergji kur marshon drejt titullit. Partizani ka fituar duke dalë jashtë skenarit, aq sa fatin e ndeshjes e vendosi qysh në hapjen e perdes, kur “ujqërit” dhe “demat” gjoja do të luftonin deri në fundin e fundit.. për jetë a vdekje. Skënderbeu, me siguri, e ka kuptuar se nuk mund të ringjallesh me forcën e kampionit të dikurshem vetëm e vetëm se përballë ke një rival që e urren me patologji, më shumë se këdo tjetër. Ajo që ndodhi në gjithë hapësirën e kohës dhe të fushës, ishte si një përgjigje edhe për batutën me helm, por jo shumë të vërtetë, të presidentit Takaj se “ Skënderbeu nuk e duan ngaqë është ekipi që ( kur ti teket) mposht Partizanin …”
Partizani ka dalë jashtë skenarit tradicional, kur fatin e ndeshjes e ka vendosur qysh në minutat e para, me një gol që ishte si një gënjeshtër e bukur në atë terren. Si një gozhdë e madhe, ku do të varej e gjithë historia e ndeshjes. Një ndeshje së ciles mund t’i korrigjoje shumë gjëra, por jo anën e fituesit, ku spektaklin më të madh kishte sakrificën kolektive të injektuar në masën ideale nga trajneri Gega. Do të kujtohet kjo humbje, edhe pse këtë sezon korçarët nuk arritën të kuptojnë pse humbjet u shndërruan në modë , dhe pse kjo me Partizanin mund të shpallet humbja më e pafajshme nga morali. Ndaj, kur shikoje topa bore që hidheshin si shenjë rebelimi nga tifozët, mendoje se cili do të kishte qënë ndëshkimi i duhur për humbjet e tjera, ato që erdhën si me bori dasme..
Sfidanti.al