Do ikin apo s’do ikin presidentët ? Pa top edhe luajmë, por jo pa polici!

Shumë rrallë mblidhen bashkë, shumë shpesh janë kundër njëri- tjetrit për shkak të bursës hileqare të FSHF-së, por këtë radhë i ka bashkuar halli dhe jo qejfi. Presidentët e
Futbollit, ata që mund të mos kenë frikë nga ndeshkimet e UEFA-s apo “kisha protestane” e futbollit, por frika e mospjesemarrjes së policisë në stadiume, i ka bashkuar si kurrë më parë. Të gjithë tok kërkojnë që policia-bio, ajo e shetit të jetë pranë fushës, sepse ajo private akoma nuk është pjekur. Që në shqip do të thotë ..nuk janë të frikshëm dhe të dhunshëm për të ndalur dhunën. Nuk kanë talent të gjithë për të folur, sidomos kur flitet për kërcënim greve, ndaj është zgjedhur presidenti kampion, Gjici për t’i rënë kamabanës . Fjalët e Safetit i kemi zgjedhur :
“Jam dakord që të gjithë presidentët në Shqipëri, ne duhet të bllokojmë kampionatin nëse Policia nuk kthehet të ruajë stadiumet. Kemi të bëjmë me sigurinë publike. Jo pafundësisht mund të shkojë kjo gjë, pasi ka kosto edhe Policia”. Kjo kryengritje e klubeve për të risjellë policinë dëshmon se dhuna është kërcenuese, sa herë ka ndeshje, madje edhe menaxhohet nga siper për interesa që e shpojnë topin. Do jetë apo nuk do jetë policia, kjo është një çështje që lidhet me mbijetesën e futbollit, e atij futbolli që dhunën e ka armën e tij më të preferuar. Askush nuk beson se presidentët do të ikin me të vërtetë dhe më e bukura, për faj të policisë,por diçka besohet…të gjithë kemi nevojë për policë tek koka. Rast unikal mbeten “shqiponjat kuqezi” që në në ndeshjen e turpit te paharruar te Kombëtares me Izraelin, kur futbollistët tanë e kurdisën orën nga ana e kundërt: edhe dorëzuan ndeshjen, edhe fajësuan policinë që i prishi shpirtin dhe terezinë me presionin që u beri jo atyre, por..tifozeve.
Sfidanti.al