“Djalli” vishet si mësues në Korçë, mësoni “shqipen e arbitrimit” nga Enea Jorgji!

Ka një mendje djallëzore në zyrat e futbollit që qëndron gjithë natën pa fjetur vetëm e vetëm që të luajë me nervat e popullit të futbollit. Tamam tamam me nervat e tifozerisë korçare, të cilët vetëm futbolli i ka bërë që të “ndërpresin” serenatat për të ndjekur topin e futbollit. Një top që i ka çuar në altar vitet e fundit, një top i ka përkëdhelur shumë, por edhe i ka zhgënjyer në mënyrë kampione. Mos thoni që nuk e mbani mend mëkatin e ndritur një vit më parë, kur Skënderbeut i doli para një arbitër me emrin Enea Jorgji dhe në emër të futbollit të tredhur, e ndaloi të fitonte titullin më të pastër, e përçudnoi moralisht, duke u tjetërsuar frikshëm nga një arbitër me stemë në një “kasap me bilbil”.  Në Korçë  thonë se nuk do ta harrojnë kurrë arbitrin që i hoqi “skalpin” gjatë  ndeshjes për titull, por në Korçë bëjnë sikur nuk e dinë se mëkatari i madh nuk i fryn bilbilit në fushë, por nga lartësia e zyrës ,atje ku fabrikohen paudhësitë që i marrin shpirtin atij që ne quajmë futboll.. Atje ku paskan vendosur me ligësi, që shkollën e parë “shqipe të arbitrimit” ta hapin pikërisht në Korçë dhe mësuesi ta ketë emrin Enea Jorgji. Këto ditë, nxënësit korçarë, ata  që duan të bëhen arbitra futbolli kanë marrë leksione nga djaloshi i vetwm me stemë, që vetëm disa muaj më parë kishte pyetur veten me habi: “ Pse ia bërë kështu korçarëve? Nuk isha unë, nuk jam kaq i keq….”

Tek Shvejku i famshëm thonë se të gjitha rrugët të çojnë në Bugjejovice, tek “Shvejku” i futbollit tonë të gjithë mëkatet të çojnë në FSHF..tek zyra ku djallëzia  rritet për 7 palë qejfe, atje ku topit i futet thika mu në zemër.Dhe Jorgji, gabuesi më  i spikatur në një ndeshje për titull, qënka  “dënuar” që të japë leksione në Korçë, duke shkelur me të dyja këmbët moralin e shenjtë të shkollës korçare se mësuesi  më shumë se i mënçur, duhet të jetë ndershëm. Por, kur të gjithë e dimë se në zyrat tona të futbollit po luftohet me sukses loja e ndershme, kurse ajo parrulla fair-play ka zëvëndësuar letrën higjenike,  pse ta bëjmë dramë nëse arbitrave-nxënës, qysh në mësimet e para, u themi se “nësë doni të shkelqeni si arbitra, mos dilni me kokën tuaj në fushë…”

Sfidanti.al