Disfatë turpëruese për Shqipërinë

Të humbasësh në turin e parë të UEFA Champions League nuk është një dramë për futbollin shqiptar por ta pësosh me rezultatin 5-0 si kampion i konfirmuar i Shqipërisë përballë një skuadre gjysmëprofesioniste ku ndoshta disa vite më parë lojtarët e së cilës kanë qenë në dyshim për të ndjekur rrugën e futbollit apo të peshkimit, është një tragjedi.

Egnatia u turpërua në Islandë 5-0 ku nuk nxorri në pah vetëm limitet e një skuadre të lodhur por ekspozoi në mënyrën më të keqe të mundshme futbollin shqiptar. Kampionët e Shqipërisë që praktikisht në 7-8 muajt e fundit kanë luajtur vetëm një apo dy ndeshje të vërteta, reflektuan disfatën e thellë të futbollit shqiptar që po shkon drejt një degradimi pa kthim.

Mungesa e një vizioni nga ana e FSHF-së për të shëndoshur ekipet zinxhir dhe lënia në mes të katër rrugëve e klubeve , shkatërron edhe dëshirën më të vogël për ta marrë seriozisht futbollin në Shqipëri.

Humbja e Egnatias reflekton në mënyrë perfekte trendin e kundërt mes Shqipërisë dhe Islandës, dy vende që sot e shikojnë sportin në mënyrë diametralisht të kundërt. Në vendin ishullor çdokush që ka mundësi bën sport të shëndetshëm dhe pa formula parazite e ligje të imponuara, ndërsa në Shqipëri po finalizojmë një projekt që ka vetëm një emër, shkatërrim. Në këtë situatë nuk ngelet asgjë tjetër veçse të presim e të mësojmë ku e ka fundin fundi.

Nga Pirro Bardhyli