Kaos te Shkupi, tifozët kundër presidentit

Shkupi ndodhet në një situatë aspak të zakontë. Pas një sezoni të vështirë ku nuk u sigurua Europa, puna për këtë edicion ka mbetur mbrapa. Tifogrupi që mbështet Shkupin, “Shvercerat”, ka publikuar një deklaratë ku i drejtohet presidentit Jasin Koniali.

Postimi i “Shvercerave”:

“Drejtuar Presidentit të FC Shkupit, Yasin Konyali,

Kur erdhe në klub, na fale shpresë me fjalë të mëdha. Premtove shumë, na preke në ndjenja, e ne tifozat që jetojmë për këtë emblemë të besuam. Por shumë shpejt u pa që fjalët e tua ishin veç tym, pa kurrfarë baze. Gënjeshtra e mashtrime!

Pas një bisede me kryetarin e tifogrupit tonë, the publikisht që do i mbulosh borxhet e klubit. Edhe kur të gjithë tjerët e kthyen shpinën, ne prapë të qëndruam mbrapa. Por koha tregoi: je veç një tjetër njeri me llafe boshe, pa pikë kapaciteti për ta udhëhequr një klub me traditë si FC Shkupi.

Fillove ta shkatërrosh klubin nga brenda. Largove njerëz që sakrifikuan gjithçka për këtë fanellë nga Nderim Nexhipi e deri te Hamza Ramani. I detyrove të largohen prej gënjeshtrave e prapaskenave tua. Tani ke pru në klub një drejtor që ka fut klube në borxhe në Turqi dhe e sillni këtu sikur na shpëton!

E tash? As trajnerët s’duan me ardhë, as lojtarët! Kanë frikë me u afru te klubi jonë prej fjalëve tua të rreme, prej kaosit që e ke kriju. I ke shndërru ambientin në një terr ku askush s’ndjehet i sigurt.

E dijeni mirë: FC Shkupi nuk është i juaji, është i joni i Shvercerave, i Çairit, i krejt atyne që rrinin në shi, në borë, në zjarr për këtë fanellë. Nëse nuk ke respekt për emblemën, për historinë, për këtë popull që e don Shkupin, largohu vetë, para se të të largojmë ne.