Manchester City zyrtarizon Kolo Touré si ndihmës i Pep Guardiolës

Manchester City ka konfirmuar se Kolo Touré do të jetë zyrtarisht zëvendësi i Pep Guardiolës për sezonin e ardhshëm. Pas eksperiencës së suksesshme si pjesë e stafit teknik gjatë Kupës së Botës për Klube, ish-mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë është bërë pjesë e përhershme e pankinës së “Citizens”. Touré, i cili ka qenë futbollist i Manchester City-t në periudhën 2009–2013, rikthehet në klubin ku ka lënë gjurmë si lojtar, tashmë me një rol të ri dhe të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës. Drejtori sportiv i klubit, Hugo Viana, u shpreh entuziast për këtë emërim:

“Jemi shumë të lumtur që Kolo do të jetë pjesë e përhershme e stafit të skuadrës së parë. Ai sjell me vete një përvojë të jashtëzakonshme në nivelet më të larta, si dhe njeh shumë mirë kulturën e Manchester City-t dhe ambientin tonë. Puna që ka bërë me ekipin U-18 ka qenë e shkëlqyer dhe integrimi i tij në stafin e parë do të ndihmojë shumë në kalimin më të lehtë të talenteve nga akademia në ekipin A.”

Emërimi i Touré-së shihet si një hap strategjik për të forcuar lidhjen mes akademisë dhe skuadrës së parë, ndërsa vetë Guardiola fiton një bashkëpunëtor me përvojë në fushë dhe tashmë edhe në bankinë.

sfidanti.al