Davide Frattesi është gati të rilindë me fanellën zikaltër. Pas një sezoni të vështirë, me pak minuta dhe me përplasje të hapura me ish-trajnerin Inzaghi, mesfushori i kombëtares italiane është rikthyer në zemrën e projektit të Interit, falë besimit të madh të trajnerit të ri, Cristian Chivu. Ky i fundit nuk ka pritur fillimin e sezonit për të treguar vëmendjen e tij: pak ditë pas operacionit për hernie, e vizitoi Frattesi-n në spital, duke dërguar një sinjal të qartë se e sheh si pjesë kyçe të skuadrës së tij.
Ky gjest ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimin e lojtarit. I zhgënjyer dhe gati për t’u larguar në merkaton e janarit, sot Frattesi është i lumtur të qëndrojë në Milano. Drejtuesit e klubit, në një linjë me trajnerin, e kanë nxjerrë përfundimisht nga lista e shitjeve dhe po përgatiten të diskutojnë rinovimin e kontratës. Marrëveshja aktuale skadon në vitin 2028, por palët janë të hapura për ta zgjatur deri në 2029, me një rritje të ndjeshme të pagës, nga 2.8 milionë euro në sezon, në rreth 3.8 milionë.
Në skemën e re taktike të Chivut, ku nuk ka më vend për treshet statike të mesfushës, Frattesi pritet të luajë më shpesh në rolin e mesfushorit të avancuar. Pas zhgënjimit në finalen e Ligës së Kampioneve, ku nuk u aktivizua asnjë minutë, kjo është një mundësi për ta rifituar vendin dhe për të shkëlqyer. Me besimin e trajnerit dhe një rol të ri në fushë, Davide Frattesi është gati të bëhet një pikë referimi në të tashmen dhe të ardhmen e Interit.
sfidanti.al