Robin Hudi nuk mund të përfytyrohet ndryshe nga ai. i fortë fizikisht, por me plotfuqinë te karakteri i pathyeshëm. Njerëzor mëkatar, por me shpirtin më të dlirë që mund të bëhet. Diego Armando Maradona ishte dhe mbetet një hero i njerëzve të thjeshtë, një hero i popullit, veçse me një dekoratë virtuale që nuk i është dhënë nga asnjë komision, përveçse nga opinioni publik. Lindur dhe rritur djalë i thjeshtë, ai nuk e harroi origjinën, dhe nuk u kalb nga pasurimi i shpejtë dhe i pashmangshëm si futbollist profesionist.
Për ata njerëz “të hollë” që nuk ia durojnë dot Robin Hudit erën e rëndë të djersës dhe rrobave të palara, po përpiqemi të japim një tjetër shembull të Maradonës, në mënyrë që të arrijnë ta vlerësojnë. Po e japim Diegon në versionin më artistik, më mitologjik, jo aq “të rëndomtë” si shumica e popullit të mrekullueshëm që përbuzet nga elita. Ky është Maradona në versionin e Prometeut. Nuk i takoi atij që t’ua jepte njerëzve Zjarrin, por mjaftoi batuta asgjësuese ndaj Papës Gjon Pali II në Vatikan për të ndezur zjarrin e admirimit dhe të guximit të të dobtëve.
Në 1987, Numri 1 i futbollit takoi Numrin 1 të Kishës Katolike në një sallë imponuese në Vatikan. Papritur, biseda preku pabarazinë mes njerëzve, me Papën që shprehu keqardhjen e tij për këtë. Nuk e mendoi se Maradona nuk kishte frikë nga rrufetë që zbresin nga qielli. “Unë pashë gjithë ata tavanë prej ari, – u shpreh Diego pas takimit, – dhe më pas dëgjova Papën që thoshte se Kisha ishte shumë e shqetësuar për fëmijët e varfër. Shiti tavanët e tu, or mik, i thashë, bëj diçka”.
As Martin Luteri nuk meriton të ngrihet në një rang me Diegon e popullit, pasi prifti gjerman ishte më shumë shok i princëve sesa i fshatarëve. Ky është versioni i duhur i Diego Armando Maradonës, futbollistit ndoshta më të madh që ka parë historia, njeriut me aq shumë vese, por që nuk kishte veset më të këqinj, egoizmin, hipokrizinë dhe gënjeshtrën.
Në Shqipëri, populli ka një shprehje, ai thotë “e drejta të bie ballit”. Maradonës e drejta i ra jo pak ballit, dhe jo vetëm për shëmtinë e dopingut në 1994. Ai kurrë nuk e pati aureolën e Pelesë, gjeniut tjetër absolut të futbollit. Pele ishte vërtet një ikonë, pasi e mbante gojën mbyllur, Diego preferoi më mirë të mos ishte i shenjtë, por njeri.
Këto fjalë i pata detyrim ndaj një njeriu për të cilin nuk kam qenë kurrë tifoz, por që desha të paktën t’ia kujtoja siç duhet 56-vjetorin e lindjes.
Bledar Kuka