Po rritet presioni mbi trajnerin gjerman të ekipit përfaqësues të SHBA-së, Jurgen Klinsman, që ky i fundit të japë dorëheqjen pas humbjes poshtërruese 0-4 nga ekipi homolog i Kosta Rikës, duke e vendosur ekipin amerikan në fund të grupit prej gjashtë ekipesh në zonën KONKAKAF për Kupën e Botës, Rusi-2018. Katër ditë mbas humbjes në fushën e vet nga Meksika, amerikanët pësuan edhe një humbje tjetër, pas një loje mizerabël që treguan në San Hoze dhe, tani, e kanë të vështirë që të sigurojnë një vend, për herë të tetë më radhë, në Kupën e Botës.
SHBA-ja nuk ka asnjë pikë pas dy raundeve të zhvilluar, duke pësuar, ndërkohë, nga Kosta Rika humbjen më të thellë në 36 vitet e fundit. “Akulli”, mbi të cilin ndodhet, tani, strategu gjerman, është mjaft i hollë, por, sidoqoftë, duhet të thuhet se shpresa, madje, jo të vogla, ekzistojnë edhe për amerikanët, pasi nga gjashtë ekipet pjesëmarrës në grupin e lartpërmendur, do të kualifikohen katër ekipe.