Tifozët ëndërrojnë titullin, por Arsenali i trembet nëntorit!

Kanë kaluar 13 vjet që nga fitorja e fundit e kampionatit dhe, edhe në një vend tepër të durueshëm si Anglia, tifozëve u ka ardhur në majë të hundës. Ata duan që më në fund Arsenali i tyre të bëhet edhe një herë i madh dhe Arsen Venger të mos duket aq i marrë fund. Gjasat janë që kjo, më në fund të ndodhë, dhe tifozët u ngrohën kur skuadra e tyre arriti tingëllueshëm fitoren e radhës, 4-1 në fushën e Sandërlendit. Arsenali tani kryeson renditjen, në krah të Mançester Sitit dhe Liverpulit.

Gjithsesi, mediat angleze theksojnë se Venger nuk është aspak i qetë. Ato lexojnë statistikat sipas të cilave, muaji që po vjen, nëntori, është fatal për Arsenalin e francezit. Në karrierën si “topçi” ka mesatare pikësh vetëm 1.59 në nëntor (në mars shkon në 2.18), ka diferencën totale të golave +32, ndaj +109 në prill. Le të kujtojmë vetëm atë që ndodhi vjet. Nëntori nisi me një 1-5 ndaj Bajernit, vazhdoi me barazim me fat ndaj Totenhemit, humbje me Uest Bromin dhe barazim me Noruiçin. Tifozët shpresojnë që Venger të ketë nxjerrë mësime dhe ky nëntor të jetë ndryshe.

B. Kuka