Derbi i kryeqytetit në Vlorë, anekdoda e radhës

Dy gola të anuluar, një ndeshje sa për të kaluar radhën dhe shumë pak tifozë në shkallët e stadiumit të Vlorës për derbin e …Tiranës nga dy skuadra kryeqytetase njëra prej të cilave e regjistruar në Durrës. Kjo është përmbledhja e derbit mes Tiranës dhe Dinamos, një ndeshje për t’u harruar jo vetëm nga trajnerët por edhe nga njerëzit që e duan dhe ndjekin futbollin e skuadrat e tyre të zemrës. Këtë herë, më shumë se 100 km nga kryeqyteti, mbështetësit bardheblu dhe ata blu i braktisën skuadrat e tyre për shkak të largësisë sepse vendimi për ta transferuar këtë sfidë në Vlorë është edhe më i pakuptimtë se ai kur në vitet e kaluara derbi është luajtur rëndom në Elbasan.

Askush nuk di të japë një përgjigje për këtë vendim ndërsa Kategoria Superiore shton në librin e çudirave një tjetër anekdodë që ë bën edhe më komike situatën me futbollin tonë. Braktisja në shkallë është totale ndërsa për analiza sportive as që mund të flitet. Maksimumi që studiot televizive mund të bëjnë në këtë situatë është diskutimi shterpë i dy golave të anuluar me VAR. Nëse ka një ndeshje që pasqyron në mënyrën më perfekte të mundshme gjendjen ku ka përfunduar futbolli i Superiores, është pikërisht derbi i kryeqytetit…në Vlorë.

Nga Pirro Bardhyli