Ç’pati Kukësi? Kualifikimi në Champions vendoset në Maltë!

Një Kukës siç nuk pritej ishte ai që doli në fushë sonte në “Loro Boriçi”, në ndeshjen e Championsit. Nënkampionët e Shqipërisë, që hynë në këtë garë falë dënimit të Skënderbeut, nuk u treguan të denjë si zëvendësues të korçarëve, të paktën me rezultatin e sfidës së parë.

Barazim 0-0 në Shkodër ndaj kampiones modeste të Maltës, FC Valeta, duke lënë që kualifikimi të vendoset në takimin e dytë në ishullin mesdhetar. Formacioni i trajnerit Peter Pakult, padyshim që, pati epërsi, por kjo nuk mjaftoi për të shënuar qoftë edhe një gol. Jo vetëm kaq, por edhe maltezët patën shanset e tyre, madje në çdo pjesë loje dhe mund të kishin shënuar, ashtu si edhe shqiptarët.

Zhgënjim për tifozët e paktë kuksianë që ishin në “Loro Boriçi” dhe vështirësim i paparashikuar i detyrës për skuadrën shqiptare, që nëse do të eleminohej që në turin e parë eleminator të Championsit, do të pësonte një dështim të madh sportiv dhe financiar.

Sfidanti.al