Ç‘ishte kjo magji e finales! Ndryshoi stadiumi, Tirana dhe..njerëzit!

Të gjitha rrugët të çojnë në Bugjejovice – thoshte Shvejku. Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë ..thuhet për finalen më pak të rëndësishme të futbollit të Europës. Sidoqoftë, Tirana është shpallur “kërthiza” e botës së futbollit për një natë të vetme. Tamam- tamam, nesër, më 25 maj kur Roma dhe Fejnordi do të ndeshen për finalen e Konferencë Ligës.

Një finale e vogël, për të cilën thuhet me ironi se do të luhet në një stadium që ngjason me “një konservë peshku” kur ndeshen të mëdhenjtë, porse një “revolucion” për shqiptarët, që besojnë se mund të ndodhë mrekullia jetike, se edhe vetëm me një ndeshje europiane mund të ndryshojnë fatin e tyre të gjithë jetës…

Romanët dhe holandezët e Fejnordit s’do ta kuptojnë dot, por për sytë tanë të stërvitur me arnime brënda një nate, i gjithë universi jonë ka bërë ..kozmetikë. Stadiumi ka ndryshuar emrin , por edhe pamjen nga brënda. Vetë Tirana, kryeqyteti ynë, ka pranuar të marrë pamjen e një zyre të madhe të UEFA-s, duke privuar banorët e saj nga shumë përditshmëri, madje duke bërë një sakrificë sublime, që të “trukojë” jetën administrative, duke bërë stop për 24 orë, për hir të ..finales. Duket si festë nga jashtë, në fakt është një privim në emër të ..topit.

Edhe njerëzit, sidomos ata që tolloviten pranë futbollit në ditë të tilla “heroike”, kanë krijuar një imazh makut me çmimet e harbuara, të cilat fillojnë nga qielli( me biletat e avionit) dhe katapultojnë në tokë me çmimet e hoteleve, të biletave të stadiumit e deri tek birrat e lokaleve.

“Ginesi” për një natë do të jetë i tëri kokë e këmbë në Tiranë, pasi do të vendosen shumë ..rekorde! Madje njëri mund të zbulohet qysh tani : në gjithë stadiumet e botës, kur ka finale, dalin me tabelëdhe kërkojnë një biletë në të zezë, në anët tona, tamam në Rinas.. është parë dikush që kërkonte “një holandez” të tërbuar të Fejnordit, për t’i bërë “dhuratë”.. biletën e tj me 15 apo 20 -fishin e çmimit..

Sfidanti.al