Lushkja shënon për kupën në Moldavi, Uzuni bie nga kategoria në Spanjë!

Fundjavë emocionale për kuqezinjtë në kontinentin e vjetër. Pati suksese dhe dështime, por në krye të listës është Regi Lushkja që fitoi një trofe. Ish-mesfushori i Laçit ishte protagonist në Moldavi duke i siguruar Sherifit të Tiraspolit trofeun e dytë të sezonit, Kupën. Lushkja shënoi golin e vetëm të ndeshjes, madje në një fund dramatik në sekondat e fundit, me një veprim të bukur individual. Ky ishte titulli i dytë për Sherifin dhe për 26-vjeçarin shqiptar, që synon të jetë pjesë e kombëtares. Më herët, u fitua titulli kampion.

Dramë edhe në Spanjë, por me fund negativ. Myrto Uzuni nuk mundi të ishte protagonist në javën e fundit në La Ligë për Granadën, madje ekipi i tij ra nga kategoria. Granada barazoi në shtëpi 0-0 me Espanjolin, dhe kombinimi i rezultateve bëri që të mbetej në vendin e tretë nga fundi, që të zbret në La Ligën e dytë. Mbijetesën e siguruan Majorka dhe Kadisi. i pafat edhe Rej Manaj në Serinë A italiane, edhe pse do të vazhdojë të luajë në elitë edhe sezonin e ardhshëm. Sulmuesi shqiptar goditi shtyllën në ndeshjen shtëpiake të Specias ndaj Napolit, madje iu anulua edhe një gol për pozicion jashtë loje. Napoli fitoi 3-0, ndërsa Manaj e mbylli sezonin me 5 gola në Serinë A.

Sfidanti.al