Fjalët e presidentit Duka ditët e fundit , ose më mirë të themi letra e “dashurisë” për trajnerin e Kombëtares, Edi Reja, nuk mund të kalonin pa lënë gjurmë. Çfarë do të donte të dëgjonte më shumë një trajner 74 vjeçar, mu në ditët më depresive të zanatit të tyre, kur futboll-mania është mundur nga..Pandemia! Fjalët e presidentit ishin aq speciale, sa edhe vetë Xhani De Biazi, trajneri më i përkëdhelur kuqezi, do të bëhej xheloz : “ Edi Reja është 74 vjeç, por ai nuk i tregon këto. Ai është i ri brenda dhe jashtë. Ai trajnon shumë mirë dhe shkon mirë me të gjithë. Për fat të mirë, atmosfera e De Biazit është rikthyer…”
Sa herë që presidenti ushqen me intervista gazetat italiane, “torta” e fjalëve që përgatitet për trajnerët italian e kapërcen masën e sheqerit. Ju kujtohen ditët e para me Panuçin ? Edhe atëherë, si me profesor Rejën, dashuri me shikim të parë! Bile, kur shefi jepte intervista për mediat italiane, kuptoje se sa me fat ishim që gjetëm njëri-tjetrin në një botë kaq të madhe futbolli. çdo lidhje me trajnerët italianë, na është ofruar si një kombinim i paracaktuar nga fati. Vetëm Dosena ka prishur “ligjësinë e fatit” me trajnerët italianë, kur iku më shpejt se sa erdhi. Mbetet si hudhër rasti i tij, sa për të prishur syrin e keq, pasi me të gjithë kemi rënë në dashuri qysh me puthjen e parë të presidentit, kurse me të ..arratisje me shikim të parë! Por, në një futboll ku paguhet për të harruar shpejt, le t’i gëzohemi trajnerit të fundit, Edi Rejës. Thonë se është më i madhi në moshë midis trajnerëve të përfaqësueseve, por, pas deklaratës së presidentit Duka , këto ditët e fundit, “kurrë” nuk do ta mësojmë moshën e vërtetë të profesorit. “ Ju duket si 74 vjeç?- na pyet “magjistari” i moshës- Ai është i ri brenda dhe jashtë..”
Sfidanti.al