Ishte 10 gushti i dy viteve më parë. Rusia, më në fund, i dha drejtim që në krye të skuadrës të caktonte një tjetër trajner vendas, Stanislav Çerçesovin. Përvoja jo edhe aq pozitive me Leonid Sluckin nuk e ndryshoi vendimin e Federatës, që të mos kthehej tek teknikët e huaj, si Hidink, Advokat apo Kapelo.
Ish-portieri i njohur, dhe trajner prej 12 vitesh, u prezantua me stilin e tij. i thjeshtë, i vendosur dhe pse në dukje aspak i sofistikuar. “Do të bëjmë maksimumin që të jemi gati në Botëror”, – ishte premtimi i tij. Një bast i rrezikshëm për 52-vjeçarin që sapo ishte shpallur kampion i Polonisë me Legian e Varshavës dhe kishte fituar edhe Kupën.
Nuk ishte aspak e lehtë për burrin me origjinë nga Osetia, që të kthente fatin e një ekipi në degradim të pandalshëm. Të shumtë ishin lojtarët e përzgjedhur, të shumta ndeshjet miqësore, por rezultati negativ. Disfata 0-3 me Brazilin në Moskë, pastaj ato ndaj Francës e ndaj Austrisë, si dhe barazimi ndaj Turqisë ishin realiteti rus në prag të Kupës së Botës.
Për fat, Çerçesovi nuk u dorëzua, dhe bindja e tij absolute, më në fund ndikoi tek skuadra gjatë kampingut përgatitor në Austri. Futbollistët ndoqën edhe finalen e Championsit Real-Liverpul, nuk dihet përse në një kanal gjerman, siç duket për të kuptuar më mirë se ku ishte kulmi i futbollit. Rusia e Çerçesovit hyri në Botëror në majë të gishtave, por eksperimentet e shumta dhanë rezultat pikërisht në kohën e duhur.
Se çfarë ndodhi në dy ndeshjet e para, këtë e di gjithkush. Fitoret 5-0 ndaj Arabisë Saudite në Moskë dhe 3-1 ndaj Egjiptit në Shën Peterburg janë jo vetëm statistika për Botërorin, por edhe shkak për një besim tashmë të pakufishëm të rusëve në vetvete.
Ata janë praktikisht të kualifikuar për në turin e dytë, dhe thjesht po bëjnë llogaritë nëse u bie më mirë të luajnë në Moskë apo në Soçi, në raundin tjetër. Tifozët po ashtu janë bërë si të çmendur, në rrugët e Moskës apo Shën Peterburgut. Kishin frikë se do të turpëroheshin, ndërsa tani ndihen krenarë.
Ky është edhe refreni i mediave. Gazeta “Sport Ekspres” shkruante për planin e ri të Çerçesovit, dhe sesi Rusia ia doli ndaj Egjiptit. Kryesor, aktivizimi i sulmuesit shtatlartë Xhiuba në vend të Smolovit. “Sport Ekspres” i kërkoi falje kombëtares, me titullin: Ne nuk i besuam atyre, por ata na dhuruan krenari!
Gazeta tjetër, “Sport Sevodnia”: Çerçesovi bëri sërish gjithçka drejt. Rusia ishte super! “Sport Sevodnia” raporton fjalët e trajnerit që u shpreh pas ndeshjes se “tek ne nuk ka asnjë problem, as nuk ka pasur, dhe as nuk do të ketë”.
Për Çerçesovin, gjithsesi, nuk ndryshon asgjë. Një njeri që i zotëron më së miri emocionet dhe e ka nën kontroll skuadrën, i është kthyer menjëherë punës për ndeshjen e radhës, atë ndaj Uruguajit.
Sfidanti.al