Kroaci-Portugali do të ishte finalja e Botërorit të parave!

Nëse do t’ua thonë, do të ndihen edhe më shumë krenarë. Futbollistët e Kroacisë po bëjnë të ndihet mirë një komb i tërë, veçse kjo jo vetëm për bëmat në fushën e lojës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Zllatko Daliç vlerësohet si numri 1 në Kupën e Botës përsa i përket vlerës së lojtarëve. Të kuptohemi, jo të kostos totale të kartonëve të tyre, por e pjesëtuar kjo me numrin e popullsisë së Kroacisë dhe me prodhimin e përgjithshëm bruto.

Me lojtarë si Modriç, Rakitiç apo Manxhukiç, pa folur për të tjerët, ballkanasit arrijnë në 488 milionë euro, ndërsa vendi ka një popullsi prej 4.2 milionë banorësh. Në një finale virtuale,  Kroacia do të luante ndaj Portugalisë. Luzitanët e kanë vlerën totale të kartonëve në 769 milionë euro, ndërsa popullsia portugeze arrin në 10 milionë njerëz. Kristiano Ronaldo mban rekordin e tyre me 107 milionë euro.

Medaljen e bronzit do ta fitonte Belgjika, me yje të tillë si Hazar, De Brujn, Mertens apo Lukaku. Për belgët do të kishte një koicidencë, pasi ata janë në vend të tretë edhe në renditjen e FIFA-s.

Nëse do të linim pjesëtimet, dhe do të bazoheshim tek vlerat absolute, kampione e botës për kartonët e lojtarëve do të ishte Anglia. Kjo, sidomos, për shkak të fryrjes së madhe të çmimeve për shkak të rëndësisë së Premier Ligës, dhe një lojtar si Harri Kejn do të arrinte mbi 200 milionë euro. Në këtë finale, ndaj Anglisë, do të duhej të luante Franca e Pogbasë, Mbapesë, Dembelesë e Grizmanit.

Dy skuadrat ndahen për fare pak, pasi anglezët kanë vlerë kartonësh 1 miliardë e 654 milionë euro, ndërsa francezët rreth 30 milionë euro më pak. Pas tyre vijnë Brazili i rekordmenit Nejmar, Spanja dhe Argjentina e Lionel Mesit, vlera e të cilit arrin në 184 milionë euro.

Sfidanti.al