Borxhet e lojtarëve dhe mungesa e Shoqatës së Futbollistëve

Pak ditë më parë, ndërsa bisedoja me të, menaxheri Elton Marini më tha se ëndrra e tij e madhe është krijimi i Shoqatës së Futbollistëve. Një njeri që ka qenë vetë në fushë, dhe që profesioni ia do të merret thuajse çdo ditë me ta, e di sesa e rëndësishme është të krijohet një shoqatë e tillë.

“Doja të bashkoja kapitenët, pasi bashkë me ta do të vinin edhe lojtarët e tjerë”, ishte plani, i cili për momentin ka mbetur vetëm në letër. Dikush mund të thotë se ç’rëndësi ka shoqata kur mund të shkosh në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve (DHZK) në Federatë, të fitosh gjyqin aty e të marrësh paratë e tua?!

Këta duhet ta dinë se në DHZK shkojnë lojtarë vetëm të disa klubeve, ku më të përmendurit janë Tirana e Flamurtari, por mund të ndodhë të paditet edhe ndonjë tjetër. Ka dëgjuar kush që lojtarë nga disa klube tipikë të Superligës të shkojnë në DHZK? Çfarë i pengon për të shkuar?

Çështja nuk është të shkosh në Federatë pasi të nënshkruash kontratës, por sesi e nënshkruan kontratën. Nëpër disa nga klubet, siç duket, paska “specialistë” të tillë që ia mbushin mendjen lojtarëve të mos firmosin kontrata-tip, por kontrata “prej bakalli” që nuk ka ligj që t’i njohë. Janë këta lojtarë që firmosin për 500 000 apo 1 milionë lekë të vjetra, dhe pjesën tjetër e marrin të paligjshme, të cilët nuk shkojnë dot në DHZK.

Nëse krijohet Shoqata e Futbollistëve, herët a vonë, çdo lojtar do të jetë i detyruar të bëjë pjesë në të, dhe të çdo klub do të jetë i detyruar të pranojë vetëm kontratat-tip.

Sfidanti.al