Dikur thonin se Berisha, ai që mbron portën tonë, nuk është tipi i futbollistit që pëlqen të flasë, madje duket tepër i sikletosur më shumë kur i ofron mikrofonin, se sa një sulmues para portës. Fill pas ndeshjes turpëruese me Kosovën, Berisha ka qënë një nga lojtarët që ka dhënë shpjegime për këtë humbje ku “vëllezërit binjakë “ nuk ngjanin si vëllezër sepse kishin sjellje krejt të ndryshme. Kur portieri ynë, gjatë intervistës ka thënë se “loja nga krahët i ka kushtuar shtrenjtë Kombëtares në këtë miqësore”, shija e fjalëve ka vazhduar zhgënjimin e lojës në fushë. Portieri ynë, që talentin më të madh e tregon më shumë në emigrim, kur luan në Itali me Atalantën, mund të kishte thënë se Kombëtares në këtë ndeshje nuk i mungonin vetëm krahët, por edhe trupi, edhe koka, edhe zemra,të mos flasim për vision në lojë, i cili po zhbëhet me shpejtësi frike…
Bashkë do të harrojmë lojën në mbrojtje që ka bërë Shqipëria me De Biazin, tani e tutje do të dashurojmë sulmin, tha Panuçi kur vumë unazat në fillim. Kjo ndeshja me Kosovën, zbuloi se përse duhet të shkojmë në sulm, për të shënuar gola, apo për të pësuar gola. Dhe turpi më i madh që pësuam nuk ishin tre golat, por dëshira e “vëllait’ kosovar për të lodruar dhe për të xhongluar si një tallje për “mësuesit” që u kishin thënë se është tradhëti t’i thuash jo Kombëtares së madhe…
Sfidanti. al